Shërbimi Informativ i Shtetit do të vendosë në monitorim të gjitha ambasadat shqiptare nëpër botë. SHISH dhe Ministria për Evropën dhe Punët me Jashtë kanë rënë dakord që në të gjitha selitë diplomatike të ketë agjentë, të cilët do të angazhohen në forcimin e sigurisë kombëtare si dhe atë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshje të arritur mes ministrit Ditmir Bushati dhe kreut të SHISH, Helidon Bendos, përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror zhvilluan dje dhe një takim informues me të gjithë diplomatët e rinj të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, gjatë këtij takimi diplomatët e rinj të MEPJ u njohën nga afër me detajet dhe misionet që do të ketë agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror në të gjitha ambasadat. Madje ata u njohën edhe me rolin dhe detyrat specifike të agjentëve.
Frika e një rreziku rus duket se vijon të jetë një çështje prioritare për qeverinë shqiptare. Lëvizja e SHISH për të përforcuar akoma më shumë sigurinë në ambasadat shqiptare në botë duket se ka qenë një sinjal i pastër që qeveria shqiptare akoma i druhet një rreziku të tillë. Kjo për faktin se pas largimit të zyrtarëve shqiptarë nga Moska dhe atyre rus nga Shqipëria, qeveria shqiptare mori një tjetër hap Rusisë.
Vetëm pak ditë më parë qeveria shqiptare, ashtu si dhe shumë vende të tjera europiane, vendosi sanksione ndaj Rusisë. Por pikërisht kjo gjë duket se ka ndikuar që qeveria shqiptare t’i trembet një rreziku të tillë dhe për këtë fakt ka shtuar akoma më shumë masat e sigurisë në ambasadat e saj.
Madje, në kuadër të prishjes së marrëdhënieve, qeveria shqiptare ka vënë nën monitorim të gjithë zyrtarët rus në vendin tonë si dhe të gjithë personat që kanë studiuar në Rusi. Kujtojmë këtu se vetë kryeministri Edi Rama si dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kanë deklaruar se rreziku rus është real dhe se po tenton të destabilizojë vendin.