Florian Marku është një prej boksierëve më të shkëlqyer shqiptarë në sportin e kik-boksit dhe në boksimin në kafaz. Është një mjeshtër i vërtetë që krahasohet me disa prej më të mirëve në botë përfshi dhe Konor Mc Gregor. Sic dihet, më 8 qershor, kampioni Florian Marku do të ndeshet në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në një ndeshje krejt të veçantë. Sfida do të jetë kundër një kundërshtari me kombësi serbe, Sladan Dragisiç. Ky i fundit ka deklaruar që do të vijë për të befasuar kryeqytetin shqiptar.
Megjithatë, mëngjesin e së martës në “Wake Up”, Floriani premtoi fitore, madje pse jo që në raundin e parë. “Dëshira ime është për t’i dhuruar spektakël publikut. Shpresoj, meqë edhe serbi ka dhënë një intervistë ku ka premtuar se do të luftojë si burrat, që të bëjmë një ndeshje të bukur dhe unë nga ana ime shpresoj të luftoj vetëm në këmbë. Pastaj, kush është më i forti do të shohim. Por, nëse ai e bën këtë gabim dhe ndeshet në këmbë me mua, u them shqiptarëve se ndeshja do të përfundojë shumë shpejt. Ka për ta parë veten pa ndjenja”, është shprehur ndër të tjera Marku.
Ndoshta spektakli mund të mos zgjasë dhe Floriani solli shembullin e Majk Tajson, për ndeshjet e të cilit publiku paguante shumë, por që ai i përfundonte që në raundin e parë.
Një pyetje interesante, për të cilën moderatorët e “Ëake Up” kërkuan përgjigje, ishte ajo se, përse kampioni i botës në kick-box nuk e merr asnjëherë në ndeshje mamin dhe motrën… “Më stresojnë, unë duhet të jem i qetë në ring. Diçka e tillë më ka ndodhur gjatë një dueli në Greqi. Mes 4.000-5.000 vetëve dëgjova vetëm një zë që thërriste emrin tim. E kuptova që ishte motra ime dhe më shpërqëndroi. Nuk e dija që do të ishte aty e prej atëherë i kam lajmëruar të mos vijnë më të më ndjekin”, deklaroi Florian Marku.
Ndeshja kundër boksierit serb do të luhet më 8 qershor, pikërisht në “Asllan Rusi” në Tiranë, ku Florian Marku synon fitoren e parë në Shqipëri, pasi shumicën e ndeshjeve të tij i ka luajtur në Greqi dhe në Zvicër. Ai synon fitoren për të bërë krenar shqiptarët./Pamfleti Sport