Vizita në Shqipëri e zyrtarit më të lartë të FBI që mbulon rajonin e Ballkanit ka kaluar gati në heshtje, duke mos qënë pjesë e kronikave televizive.
Në dukje një vizitë rutinë kjo e atasheut të FBI-së Jack Liao në Tiranë, pavarësisht se ka pasur takim fillimisht me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Atasheu i FBI-së Jack Liao, i cili mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë ka vlerësuar në takimin me Veliun bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet policisë shqiptare dhe FBI.
Njëherësh është vlerësuar nga palët dhe ndihma që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë ky shërbim amerikan, Policisë së Shtetit shqiptar.
Liao ka marrë garancinë e drejtorit Veliu se Policia e Shtetit është e vendosur dhe e angazhuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Njëkohësisht Veliu njohu atasheun e FBI-së me reformën në Policinë e Shtetit dhe ndryshimet strukturore të bëra në funksion të përmbushjes së prioriteteve të luftës kundër krimit.
Kreu i policisë shqiptare i ka kërkuar atasheut të FBI-së që të shihet mundësia e trajnimit të oficerëve të Departamentit të Policisë Kriminale, nga ekspertë të FBI-së.
Qëllimi i këtij trajnimi sipas Veliut është marrja e eksperiencave më të mira në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, hetimin e transfertave të vlerave monetare, etj.
Atasheu i FBI-së, vlerësoi punën e Policisë së Shtetit si dhe rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe garantoi vijimin e ndihmës për këtë organ ligjzbatues.
Liao shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë në trajnime për Policinë e Shtetit, si dhe të sjellë ekspertë për të asistuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale.
Palët u dakordësuan që të forcohet më tej ky bashkëpunim, duke avancuar deri në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, kur është e nevojshme, me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Kjo është pjesa që i referohet burimit zyrtar nga takimi mes atasheut të FBI për rajonin, Liao dhe kreut të policisë shqiptare Veliu.
Burime brenda takimit saktësojnë se nga ana e palës shqiptare është kërkuar materializimi i shpejtë i këtij bashkëpunmimi dhe ardhja sa më parë e ekspertëve trajnues dhe zbulues të FBI.
Parë nga presioni i SHBA dhe BE për një efikasitet dhe shpejtësi më të madhe në procesin e arrestimit të “peshqve të mëdhenj” të krimit, trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri, fillimi i punës deri në vjeshtë nga grupet e përbashkëta hetimore, do të ishte zgjidhja ideale.
Njëherësh mësohet se atasheu i FBI ka premtuar se, përpos trajnuesve do të vijnë dhe ekspertë të mirëfilltë të FBI, të shquar për gjurmimin e parave të pista, transfertave të dyshimta brenda dhe jashtë vendit
Mësohet se atasheu i FBI amerikane Liao ka kërkuar që këto grupe ekspertësh të koordinohen dhe me grupin tjetër që ka ardhur në Shqipëri para 6 muajsh, për të krijuar një grup ekspertësh miks amerikanë, shqiptarë dhe britanikë, të stërvitur në punën në grup.
Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i FBI amerikane është shprehur i pakënaqur në lidhje me stopimin e hetimit dhe mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm që përbëjnë prova për transfertat e parave të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në parajsat fiskale.
Mësohet se Liao ka kërkuar me insistim një hetim të thelluar për paratë që politikanët shqiptarë kanë hedhur për lobim në SHBA, duke përmendur në mënyrë rë qartë dhe lobimin e Bashës dhe të Metës me para ruse.
Po gjatë ditës së enjte, atasheu i FBI amerikane Jack Liao, u prit në një takim të veçantë edhe nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në fokus të takimit ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve.
Takimi mes atashehut të FBI Liao dhe ministrit të Brendshëm Xhafaj u bë dhe në vijim të çështjeve të trajtuara në takimin që Xhafaj zhvilloi me drejtues të FBI-se gjatë vizitës së tij në Uashington, në shkurt të këtij viti.
Mësohet se atasheu i FBI amerikane për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë, Liao pritet të zhvillojë një takim me Prokuroren e Përgjithshme të përkohëshme Arta Marku.
Nuk është bërë publike se çfarë do të diskutohet në këtë takim, por hetimi i dosjeve të mëdha të krimit dhe korrupsionit dhe sidomos ndikimi rus në Shqipëri, lobimi i Bashës me para ruse në SHBA dhe lufta kundër elementëve terroristë do jetë në fokus të takimit./Pamfleti