Si një yll i zbehtë mes reve,
edhe ti poet do vuash,
se një ndjenjë-po s’e ndjeve,
e pamundur ta përshkruash!
Në fillim të vjeshtës tretë,
bien që të gjitha fletët,
dhe e shkreta moshë e tretë,
fillon herët për poetët!
Ndizen dhe fiken vullkanet,
nëpër shekuj pandërprerë,
po poeti është vullkani,
që ndizet vetëm një herë!
Nëse është poet vërtetë,
një dashnor i melodisë,
do ndizet në këtë jetë,
në moshën e dashurisë!
Është një gjë që unë e di,
sot tamam e kam kuptuar,
kryeveprat në rini,
gjithë poetët i kanë shkruar!
Në ritmin e poezisë,
ndihet fort ritmi i gjakut,
se zjarri i dashurisë,
s’e ngroh më kockën e plakut!
Po të zuri dashuria,
të hyn zjarri gjer në eshtër,
po kur të ikën rinia,
zjarri të duket gënjeshtër!
Bëre ç’bëre në rini,
e vulose fatin tënd,
dhe po bëre histori,
nga ato do mbahesh mënd!
Jeto kot-o i bekuar,
në çarkun e pleqërisë,
se kur zjarri të është shuar,
s’i këndon dot dashurisë!
Kur s’ke zjarr nëpër damarë,
shpirtin mos e mundo kot,
se zjarri rinisë së parë,
gjithë jetën s’të ngroh dot!
Rri me mua këtë natë!
Ku ta shkrij gjithë këtë akull,
këtë terr që po më mbyt,
për të shkrirë gjithë Antraktidën,
Më mjafton veç trupi yt!
Rri me mua këtë natë,
këtë kohë që na mbeti,
na mjafton veç një krevat,
nga çdo gjë që ka qyteti.
Në një dhomë-në errësirë,
nuk ra zjarr,s’plasi dyfek,
po për dreq aty u dogj,
një krevat dhe një dyshek!
Ti…
Ti je për mua,
si asnjë tjetër,
që ma ngroh shpirtin,
si verë e vjetër.
Si verë e vjetër,
nga rrush i zi,
që s’më zë kurrë,
sado të pi!
Puthja…
Ngrihej mal Çezari,
mbi gjithë gjeneralët,
po kur puthte miken,
s’ish më me të gjallët!
Arben Duka