Shteti shqiptar, nën efektin e “shiringës” së korrupsionit
Brenda territorit të Spitalit të Traumës (Ushtarak) në Tiranë është zaptuar e rrethuar nga një batakçi që hiqet si biznesmen, 15 200 m2 sipërfaqe truall dhe hapërisa objektesh qysh prej vitit 2006, pa asnjë qindarkë pagesë në shtet, që zhfrytëzohet si spital privat shqiptar, me emër ndërkombëtar.
Në krye të portës së kësaj toke dhe mjedisesh shtetërore, të zaptuara e të mbajtura me vula dhe firma klienteliste, të hedhura prej “CAR”-ëve të çdo pushteti në Shqipëri, është vendosur tabela “Spitali Amerikan”!
Po a është realisht kjo “infermieri katundi”, spital me shërbim amerikan?
A ka ndonjë “grimcë” mjekësore amerikane, brenda kësaj “toke të xanun” nga pazarxhiu Klodian Allajbeu, të cilën ai e prezanton qëllimisht, si “shërbim mjekësor amerikan”, për të joshur shqiptarët që shkojnë për të trajtuar sëmundjen dhe ai “u rrjep lëkurën”, me çmimet abuzive e të lejuara nga ministria, duke shpërfillur ligjin për spitalet, po folur pë cilësinë e ilaçeve dhe ‘depot” ku merr?
Ky spital ku kanë ndodhur edhe tragjedi, ku pacientët kanë hyrë me 1 sëmundje dhe kanë dalë me 3, ku kanë hyrë me këmbët e tyre dhe kanë dalë me barrela e karroca invalidi, vetëm tabelën e ka emër amerikan, sepse administratorin “bej” Allajbeun e ka “Dr.” të lindur e rritur në një katund të Beratit, mjedise ka ish-klinikat, lavanderitë dhe depot ish-gërmadha të Spitalit Ushtarak e ish-gazemra ushtarake italiane, të lyera me bojëra joshëse.
Besojmë, se Allajbeu nuk ka harruar, që gjysmat e pajisjeve elektro-mjekësore, i ka marrë nga…. e di më mirë Tritan Shehu, Zeni, Gita, Monika, ish-drejtorja mjekësore mbesa Hana e Liri Berishës dhe disa mjekë ish-ministra, të cilët janë deputet majtas e djathtas, të gjithë të “injektuar nga shiringa korruptive” e pazareve të pista, që u ka ofruar biznesmen-“pisnesmeni” i çdo pushteti, Klodian Allajbeu.
Në stendat dhe fletë-palosjet e spitalit shqiptar me tabelë amerikane, reklamohen emra profesorësh mjekë amerikanë, gjermanë, francezë, italianë, kanadezë, austriakë e danezë, ndërsa bisturitë mbi pacientët… i përdorin mjekë shqiptar, disa me kohë të plotë, disa me punë shefa në QSUT e ministri dhe disa merren e çohen përditë me furgona në spitalet e rretheve ku punojnë.
Nuk i paragjykojmë aftësitë e këtyre mjekëve të nderuar shqiptarë, por çështja ka lidhje me falsitetin publik, që në Spitalin i cili promovohet si “Shërbim Amerikan” prej “beut” Klodian Allajbeu, punojnë vetëm mjekë shqiptarë, ose më saktë nga 122 mjekë që ka stafi i këtij spitali, 119 janë mjekë shqiptarë, 2 janë grekë dhe 1 turk.
Për ta thënë më qartë, po e krahasojmë me rastin e një bashkëfshatari të Allajbeut nga Berati që jeton në SHBA, i cili e quan vehten “Amerikan”, meqë ka ndryshuar emrin nga “Bilbil”, në “Bill”…
“Pamfleti” do vazhdojë të zbardhë skandalet që bëhen nën logon dhe nën çatinë e këtij spitali nga administratori Allajbeu, duke publikuar abuzime të panjohura deri sot, duke vijuar me Vendimin e Gjykatës së Apelit Nr.1665, me Nr. 1386 të Regjistrit Themeltar, datë 02.07.2015, me kryesues Gjin Gjonin, me personazh një bos kulle 35 katëshe të shitur tek kinezët, me kundërshtar një mik pazaresh të Ilir Metës me emrin Kastriot, me objekt gjyqi “ca punë” fajdesh dhe kolaterale tokash e banesash, të mbyllura nga miku i tij… Tiku. /Pamfleti (Vijon)