Në një takim me strukturat e integrimit europian, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë si punë ashtu edhe reforma më shumë se çdo shtet tjetër përpara çeljes së negociatave.
“Morëm një ndihmë të jashtëzakonshme nga Greqia dhe Italia. Jam surprizuar për mirë nga fqinjët tanë. Kemi kapërcyer një moment delikat. Të gjithë kanë punuar shumë për negociatat. Shqipëria ka bërë përpara çeljes së negociatave më shumë se çdonjë tjetër në të njëjtën fazë. Dy orë përpara marrjes vendimtare nuk kishim tekst”, tha kryeministri
Nga ana tjetër Rama bëri edhe dallimin mes çeljes së negociatave në këto moment si dhe çeljes në 12 muaj:
“Normal se ka një ndryshim mes çeljes së negociatave në këto momente dhe çeljes së negociatave në 12 muaj. Por edhe nëse çelja e negociatave do ishte immediate, do na duhej një kohë e caktuar nga 6-12 muaj. Çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por komisioni do të nisë menjëherë punën përgatitore”, tha Rama.
Rama tha se Europa nuk ka vënë asnjë kusht për negociatat.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Një surprizë befasuese për ne që të gjithë kanë bërë edhe më shumë sesa do të ishte mjaft sa për të thënë ‘që ne e bëmë tonën’.
Dua të nënvizoj atë që në 72 orët e dallgëve të larta të procesit, fillimisht në Luksenburg e më pas në Bruksel. Që bënë fqinjët tanë grek dhe italian. Ata bënë asgjë më pak sesa do të ishim bërë ne vetë nëse do të ishim të pranishëm. Ne mungonim por falë angazhimit të jashtëzakonshëm të këtyre dy miqve ne nuk munguam aty.
Ishte një ndihmë e jashtëzakonshëm për ne dhe Maqedoninë e veriut. Sot kemi kapërcyer një moment tejet delikat, Shqipëria ka bërë para çeljes së negociatave, më shumë se çdo vend tjetër. Ishte një rrezik real që të mbeteshim në këtë moment pa tekst.
Dy orë para vendimmarrjes, nuk kishim tekst, për shkak të dinamikës së brendshme të tryezës së bisedimeve ku 25 vende u rreshtuan në mënyrë të vendosur për të mbështetur çeljen e negociatave, dhe tre vende të tjera ishin në pozicion të ndryshëm, për arsye që i kemi dëgjuar në vazhdimësi dhe i mirëkuptojmë.
Ka një ndryshim mes çeljes së negociatave mes çeljes së menjëhershme dhe pas 12 muajve, këtë nuk mund ta mohojmë. Por edhe sikur çelja të ishte imediate ne do ta duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë të caktuar, nga 6 deri në 12 muaj, dhe fati që çelja e negociata është përcaktuar pas 12 muajsh, por ndërkohë komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor, është procesi më i plotë dhe i mirëpritur nga ana jonë.
Më vjen për të qeshur dhe për të qarë kur dëgjoj se Evropa ka vënë kushte, nuk ka vënë asnjë kusht por ka nënvizuar kushtëzimet që ka kjo fazë. Qeshëm me kryeministrin e Malit të Zi, kur po diskutonim për 5 prioritet, dhe tha se ‘prit prit se pastaj do këtë më shumë kushte”, kjo nuk është çështje përputhshmërie me parametrat e një vendi të BE.
Të jemi realist, nuk ka thënë dhe nuk thotë as komisioni dhe as këshilli asgjë më shumë dhe sikur larg qoftë të dilnim nga 72 orët e ferrit pa tekst e pa datë, do vazhdonim vettingun, do vazhdonim për ngritjen e institucioneve të drejtësisë, do vazhdonim atë që bëjmë përditë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk është se këto do të ndalonin nëse do të hapej menjëherë. Ky proces nuk është për Evropën, është për fëmijët tanë, për të ndërtuar këtu një shtet Evropian.