Mund të jemi ndër 3 vendet e fundit të Europës sa i përket zhvillimit ekonomik, por Shqipëria ka një tregues me të cilën konkurron ekonomitë më të pasura të botës: çmimi i naftës.
Referuar Global Petroleum Prices aktualisht Shqipëria është vendi i 13-të me çmimin më të lartë të naftës në botë.
Qytetarët shqiptarët paguajnë mesatarisht 178 lekë ose 1.65 dollarë për një litër naftë, kur në Gjermani, Austri apo Holandë, çmimi është dukshëm më i ulët, arsyeja e këtij absurdi është qeveria.
Luigj Aliaj nga Shoqata e Hidrokarbureve shprehet:
“Sepse sistemi i taksave që ne përdorim në karburante është më i larti dhe kemi disa taksa të veçanta që nuk aplikohen në vende të tjera. Çmimi lartë vjen nga taksat që përfshihen në kosto.”
Në çdo litër naftë, që paguhet rreth 180 lekë, mbi 100 lekë shkojnë për qeverinë, ndërsa pjesa tjetër është kosto për naftën. Kjo bën që çmimi të mos ulet asnjëherë edhe sikur nafta në bursa të shitet falas.
Aliaj vazhdon:
“Nafta me çmimin që del sot nga bursat ndërkombëtare përfshirë transportin, shpenzimet e shpërndarjes dhe fitimin e kompanive ka një çmim mes 70-75 lekësh, gjithë pjesa tjetër është taksa.”
Por, me gjithë këtë barrë të rëndë, qeveria vazhdon të shtojë taksa mbi karburantet, tani edhe përmes koncesioneve. Më e reja pritet të vijë shumë shpejt.
Luaigj Aliaj shton:
“Së fundmi po përgatitet edhe një taksë që do i kalojë privatit, për kontrollin e pompave të karburantit, e cila do të jetë një kosto shtesë për çmimin e lartë.”
Shumë ekspertë thonë se çmimi i lartë i karburanteve ka dëmtuar jo pak ekonominë duke i bërë bizneset shqiptare më pak konkurruese krahasuar me ato të vendeve të ngjashme fqinje, ku nafta kushton shumë më pak si në Maqedoni ku çmimi i naftës është mesatarisht 130 lekë.