Skuadra e Juventus-it duket se do të ketë një merkato të gjatë vere. Bardhezinjtë duan të bëjnë të tyrin trofeun e Champions League që është kthyer në “mollën e ndaluar”. Në Itali, ata fitojnë gjithçka, por në Evropë “i ngec sharra në gozhdë”.
Trajneri Massimiliano Allegri e ka bërë të qartë se duhen përforcime dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë bërë menjëherë një lëvizje të bujshme. Në Torino është afruar ylli i Liverpool-it, Emre Can.
Gjigantët italianë të “Sky Sport” bëjnë me dije se mesfushori me tipare të avancuara ka rënë dakord për të firmosur një kontratë 4-vjeçare me italianët. Futbollisti i Kombëtares së Gjermanisë pritet të kryejë vizitat mjekësore në ditët e ardhshme.
Ai është një përforcim i zgjuar dhe i rëndësishëm, pasi “Zonja e Vjetër” e merr me parametra zero. Ish-lojtarit të Liverpool-it i mbaroi kontrata në fund të sezonit dhe u afrua në Torino me parametra zero. 24-vjeçari nuk pranoi rinovimin e anglezëve duke preferuar ndërrimin e ambientit.