Loading...

Durrësi, Vlora dhe Saranda së shpejti me terminale për kroçerat

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se kemi nisur punën për ndërtimin e tre terminaleve për kroçerat në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.

Në fjalën e tij gjatë takimit për prezantimin e projekteve për Vlorën, Kryeministri Rama theksoi se “Vlora po bëhet gjithnjë e më shumë e do të bëhet shumë e kërkuar nga turistët dhe nga destinacionet e kroçerave. Kështu që në portin e Vlorës do të ndërtojmë një terminal modern për kroçerat”.

Kreu i qeverisë tha se “po synojmë dhe po vazhdojmë punën për të bërë disa investime me marina dhe jahte dhe tani të barkave turistike, qoftë në Vlorë dhe Sarandë, pasi është një domosdoshmëri e madhe dhe një ekonomi e fortë, pasi sjell shumë para në një kohë shumë të shkurtër”.

Sipas tij, turizmi që ne kemi sot është masiv, jep një kontribut të rëndësishëm në ekonominë tonë, por nuk sjell aq para sa ne duam të sjellim në vend.

Kjo për faktin, shtoi Rama, sepse nuk e ka fashën e cilësisë së lartë, për shkak të mungesës së strukturave me katër dhe pesë yje dhe për shkak të mungesës së marinave.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se brenda mandatit do të kemi terminalin e kroçerave, që do të jetë një shëmbëlltyrë e bukur, e ngjashme por, sigurisht në një masë më të vogël, me aeroportin.

Sipas tij, porti do të jetë ndalesa e turistëve, që sot nuk vijnë dot, pasi kroçerat nuk ndalojnë dot në Vlorë, sepse nuk kanë ku të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Rama tha se “paralelisht shpresojmë që të fillojmë investimin për marinën e Vlorës në krah të terminalit të kroçerave, si pjesë e zgjerimit të portit”./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com