Qershorin e vitit të kaluar në Zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit, disa subjekte private shtuan një sipërfaqe prej rreth 12.000 m2 me beton dhe rërë kundrejt detit.
Megjithë përgjegjësinë ligjore, institucionet dështuan në mbrojtjen e vijës bregdetare nga ndërtimet e paligjshme.
Porta Vendore ka kryer një vëzhgim 2 mujor në qytetin e Durrësit, ku rezulton se në plazhin e Currilave dhe në Zonën e Plazhit, subjektet private kanë ndërtuar dhe vijojnë të shtojnë territorin e tyre me beton kundrejt detit.
Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në bashkinë Durrës është përgjegjës për kontrollin dhe ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në bregdetin e Durrësit.
Megjithatë nisja e sezonit turistik po shoqërohet paralelisht me punime në një tjetër zonë të qytetit, në plazhin e Currilave.
Aty subjektet private i kanë “hipur në kurriz” detit me ekskavatorë, duke hedhur gurë e ndërtuar platforma.
Sipas administratorëve të subjekteve private, shkak për këto punime është bërë fenomeni i erozionit.
Por teksa qytetarët shprehin indinjatën se po humbasin hapësirën për të bërë plazh, për hidrobiologun Olsi Nika këto ndërtime mbi det po shkatërrojnë katet ku jetojnë gjallesat ujore dhe po ndotin cilësinë e ujërave.
Ndërsa planifikuesi i territorit, Artan Kacani, i sheh si të dështuara këto iniciativa të biznesit privat, pasi sipas tij duhet një studim dhe plan ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Inspektoriatet ekzistojnë vetëm në dokumente
Inspektorët e IMT-së në bashkinë Durrës dhe ata të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) kanë për detyrë kontrollin dhe ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në bregdet.
Por nga dokumentet që Porta Vendore siguroi nga institucionet, zbuloi se në vitet 2017-2018 për disa raste ndërtimesh mbi det, megjithëse në sipërfaqe të konsiderueshme dhe pranë zonave urbane, në asnjë rast procedurat ligjore nuk i kishin nisur këto inspektoriate, por ishin informuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB).
IKMT bëri me dije për Portën Vendore se është IMT e bashkisë Durrës që ka kompetencë direkt mbi territorin dhe puna e IKMT-së është mbështetëse.
Këtyre dy institucioneve ju drejtuam Kërkesë për Informacion, që morën përgjigje vetëm pas dy muajsh pritje dhe ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Vitin e kaluar në Zonën e Plazhit ekskavatorët u futën në det dhe pas punimeve për disa muaj, u ndërtua një platformë betoni prej rreth 12.000 m2. Llogaritje e bërë nga Porta Vendore me anë të “Google Earth”.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Durrës, më datë 24.03.2017, ka nxjerrë vendim prishje, dhe në muajin maj, IKMT ka shprehur gatishmërinë për prishjen, duke e mbështetur IKMT Durrës me burime njerëzore.
IMT në bashkinë Durrës bëri me dije për Portën Vendore se ka shkuar për të bërë ekzekutimin e vendimit, me ekskavator, por nuk ka qenë e mundur, pasi platforma e betonit është në det dhe nuk i disponojnë mjetet dhe makineritë e duhura.
Më tej bëhet me dije se mbështetja e IKMT-së ishte në burime njerëzore dhe jo në mjete e makineri që i nevojiteshin për ndërhyrjen.
E njëjta situatë vlen edhe me ndërtime në zonën e bregdetit të Kallmit, ku IMT në bashkinë Durrës shpreh të njëjtin argument për mosndërhyrjen e saj.
Ndërkohë që duket se nuk është parë e arsyeshme marrja e mjeteve me qira, për të kryer prishjen apo që ndërtimet të ndaloheshin që në krye të herës, siç edhe Ligji për Inspektimet e dikton.
“Për vitin 2017 nuk mund t’ju japim informacion të plotë pasi për llogari të procedimit penal… datë 05.10.2017 është bërë sekuestro e protokollit të inspektoriatit nga Prokuroria e rrethit Durrës, duke u bërë kështu një nga arsyet e vonesës së kthimit të përgjigjes ndaj kërkesës suaj”, u përgjigj më tej bashkia Durrës për Portën Vendore.
Porta Vendore tentoi të kontaktonte administratorët e subjekteve private që kanë ndërtuar mbi det në zonën e Plazhit dhe në Currila, për të cilët Prokuroria e Durrësit po kryen hetime prej muajsh, por ata zgjodhën të mos përgjigjeshin.
Prej vitesh lokalet e ngritura mbi brezin e rërës në Currila, i kanë mohuar qytetarëve të drejtën për të bërë plazh. Por kjo nuk i përket vetëm pjesë e së shkuarës. Në mars të këtij viti, rreth 30 metra nga deti, mbi rërën e zonës Pranë Urës së Dajlanit nisi ndërtimin i një hotel 7 katësh.
Megjithëse ishin ngritur 3 kate, IMT i bashkisë Durrës nuk kishte ndërhyrë për të verifikuar ligjshmërinë e tij dhe u desh nisja e hetimit nga ana e Prokurorisë që punimet të pezulloheshin.
Në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, lidhur me veprimtaritë në brigje ndalohet depozitimi i inerteve në bregdet dhe në tokat pronë private dhe shtetërore, përbri brigjeve të deteve, sepse duhet detyrimisht të lihet një sipërfaqe toke e lirë për përdorim publik, me gjerësi nga 5 deri në 100 metra nga këto brigje.
Por në bregdetin e Durrësit përveçse po ndërtohen pallate 30 m larg bregut, lokalet po ndërtojnë platforma prej betoni mbi det, në Currila dhe Plazhin e Durrësit.
Ashpërsimi i Kodit Penal me dënimin me burgim deri në 1 vit për ndërtimin pa leje në tokën në pronësi të pronarit dhe dënimin me burgim 1-5 vjet kur kjo bëhet në tokën publike ose shtetërore,duket se nuk i ka stepur bizneset për pasojat ligjore nga ndërtimi i paligjshëm në bregdet, kjo edhe për shkak të mos dënimit ende të asnjë prej shkelësve.
Bashkia Durrës, shembulli i “zaptimit” të bregdetit
Në dhjetor të vitit 2016 dhe deri më sot , bregdeti përbri portit të qytetit dhe shëtitores “Taulantia” vijon të mbushet me dherat dhe inertet që sillen nga sheshi publik në ndërtim, “Veliera”. Inspektoriati Shtetëror i Ujërave e ka gjobitur kompaninë ndërtuese “Everest” sh.p.k me 2 milion lekë, për ndotje të bregdetit dhe i la detyrë që ta rikthejë zonën siç ishte.
Por ndërhyrja po bëhet me dijeninë e bashkisë Durrës, e cila bëri me dije për Portën Vendore se aty do të ndërtohet një parkim publik. Në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të projektit “Veliera”, shkruhet; se vendi i depozitimit të dherave do të bëhet në vijim me autoritetet vendore. Sipas Olsi Nikës nga EcoAlbania, vendi i depozitimit duhej të ishte përcaktuar qartësisht, pasi kështu VNM-ja është e paplotë.
Durrësi, qyteti bregdetar pa plazh
Qytetarët e Durrësit përveç mungesës së hapësirës publike për të bërë plazh, po përballen me zaptimin e brezit të rërës nga ndërtimet shumëkatëshe.
“Është prishur komplet pamja e bregdetit dhe futen njerëz të paautorizuar, duke zënë hapësirën e detit dhe të plazhit. Dalin e na thonë edhe mos shikoni këtu, mos u afroni. Nuk na lejnë të vendosim as çadrat”, tha për Portën Vendore Anxhelin Xhikola, teksa kishte ardhur për të pushuar në Zonën e Plazhit të Durrësit.
Përveç zaptimit të hapësirës publike, këto ndërhyrje në bregdet po dëmtojnë edhe ekosistemin detar.
“Së pari dëmtohet kati i Cirkalitoralit, që është ajo pjesë e tokës e cila vetëm laget nga piklat e ujit kur bien dallgët. Më pas vjen kati i Mediolitoralit, ku janë të gjitha ato gjallesa që janë pjesë e zinxhirit ushqimor me të cilat rriten gaforret, peshqit etj.”, u shpreh hidrobiologu OlsiNika.
Specia Livadhet e Posedonias njihen si “mushkëria e gjelbër e Mesdheut”, pasi në 1 metër katror prodhojnë 14 litra oksigjen në ditë dhe strehon rreth 25 % të të gjithë faunës së detit Mesdhe dhe këto ndërtime e rrezikojnë.
“Ato janë brenda në det dhe kur ne shtojmë 2 metra sipërfaqe kundrejt detit, kufiri i tyre shtyhet me 15 metra më larg”, tha më tej Nika.
Porta Vendore kontaktoi disa prej subjekteve që kanë betonizuar detin, të cilët u shprehën në kushtet e anonimitetit se janë të detyruar ta bëjnë këtë si pasojë e erozionit.
Sipas planifikuesit të territorit, Artan Kacani, shkak kryesor për këtë fenomen natyror janë bërë ndërtimet pa kriter në bregdet dhe marrja e masave për zbutjen e erozionit bëhet nga autoriteti publik përgjegjës dhe jo nga privati me iniciativën e lirë.
“Sipas Planit Ndërsektorial mbi Bregdetin, zona e Plazhit në Durrës ka një situatë nga më të rënduarat në shkallë kombëtare, respektivisht nga 10 deri në 100 ton për hektar gërryen deti në vit. Ndryshe nga zonat e tjera kombëtare, ky nivel i erozionit shtrihet buzë detit”, shtoi më tej Kacani për Portën Vendore.
“Erozioni nuk mund të shmanget me hedhjen e kësaj sasie lëndësh të ngurta, pasi më vonë do të ketë edhe aksidente, pasi rrymat detare do i shkatërrojnë këto struktura pas 5 vitesh dhe veprimtarinë gërryese të rrymave detare mund ta kufizojnë vetëm aluvionet e lumenjve që sjellin vazhdimisht prurje dhe jo veprimtaria njerëzore, në mënyrë spontane”, vëren Olsi Nika.
Teksa ekspertët kritikojnë këtë ndërhyrje të paplanifikuar në territor, qytetarët përballen me mungesën e plazhit për të pushuar.
“Sa vjen e po shohim që plazhet po betonizohen, është bërë pothuajse e pamundur që qytetarët të bëjnë plazh. Tani do fillojmë ta bëjmë plazhin me varkë dhe jo që të marrim çadrën dhe të ulemi në rërë si dikur”, u shpreh për Portën Vendore Pano Ceka, teksa po shëtiste në zonën e Currilave.
IMTDurrës, në “rrjetën” e prokurorisë
Fenomeni i betonizimit të bregdetit të Durrësit është aq i vjetër në vite, sa edhe vetë karriera e drejtuesve të strukturave përkatëse në bashkinë Durrës.
Në shkurt të këtij viti bëri bujë pezullimi nga detyra i drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Durrës, Adhurim Qehajaj, pasi kishte lëshuar lejen e ndërtimit për hotelin 7 katësh në zonën pranë Urës së Dajlanit, në një distancë rreth 30 metra nga deti.
IKMT pezulloi punimet pasi Prokuroria Durrës njoftoi se leja është dhënë në kundërshtim me ligjet për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ku u theksua se zona ku është dhënë leja është e përcaktuar si zonë e Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organi kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare, e jo bashkia Durrës.
Po në muajin shkurt 2017, policia njoftoi se dërgoi në Prokurori rastin e disa inspektorëve të IMT-së në bashkinë Durrës, pasi nuk kishin marrë masat e duhura për kontrollin dhe verifikimin e punimeve në një objekt në lagjen numër 13.
Edhe vetë kreu i IMT-së në bashkinë Durrës, Artur Çela, u pezullua nga detyra në prill të këtij viti, pasi nuk kishte prishur një objekt disakatësh në lagjen numër 17 të qytetit.
Pas shumë vitesh nga marrja e kësaj detyre, ai u zëvendësua nga avokati Ardian Halili. Drejtorët Çela dhe Qehajaj po hetohen nga prokuroria për “shpërdorim detyre”.
Porta Vendore ju drejtua Prokurorisë së Durrësit, që bëri me dije se përveç hetimit të zyrtarëve të bashkisë Durrës, ka dërguar në Gjykatë 3 raste të ndërtimit të paligjshëm mbi det.
Po ashtu, “Kemi në fazën e hetimit një procedim penal për ndërtim pa leje me vendndodhje në det dhe po verifikohet një material kallëzues për ndërtim pa leje në det”, bëri me dije për Portën Vendore Prokuroria Durrës, nëpërmjet një Kërkese për Informacion.
Duket se në të gjitha rastet ku IMT në bashkinë Durrës nuk ka ndërhyrë për të zbatuar ligjin, është nisur një hetim ,pasi Prokuroria Durrës na bëri me dije se për ndërtimin e platformës prej betoni në Plazh Durrës, në Currila dhe për punimet e projektit “Veliera”, prej muajsh po hetohen.
Rreth autorit
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion.
Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.