Deputetja e PS, Tatjana Nurçe Piro, ditën e djeshme ka ngritur në këmbë sallën e Kuvendit. PS-PD e LSI u bënë bashkë në seancën e djeshme plenare kur Nurçe u kërkoi të mbanin një minutë heshtje për viktimat e pafajshme të Çamërisë në përkujtim të datës 27 qershor, e cila njihet si Dita e Genocidit të madh të bërë nga fashistët grekë ndaj popullsisë çame.
“Sot jam këtu për të folur së pari si një grua që i përkas shqiptarëve të Çamërisë, si deputete që përfaqësoj PS dhe gjithë popullsinë çame. Po flas për të nderuar e kujtuar ditën e genocidit ndaj popullsisë së pafajshme të Çamërisë.
27 qershori është dita kur të gjithë ne kujtojmë të parët tanë, që u masakruan dhe u vranë: pleq, plaka, fëmijë, nga forcat fashiste të Napolon Zervës. Ata ishin njerëz të pafajshëm që jetonin në vatrat e tyre të stërgjyshëve si popullsia më e vjetër në Europë. Gjithmonë kanë luftuar për liri e dinjitet”, tha Nurçe duke u ndalur edhe te bisedimet me Greqinë, tani që ka përfunduar edhe raundi i tretë i tyre mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati e homologut të tij grek Nikos Kotzias.
“Ne çamët besojmë se Shqipëria do dijë të negociojë me dinjitet e pa çeduar me palën greke, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për çështjen çame e bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh deputetja e PD ndërsa i ftoi të gjithë të mbanin një minutë heshtje.
“Është në nderin tonë, në këtë rast të mbajmë një minutë heshtje për të gjithë viktimat e pafajshme të Çamërisë.”
Tatjana Nurçe, deputetja e Lushnjes është vajzë e dy prindërve emigrantë çamë dhe është nënë e dy djemve çamë. Ky gjest i deputetes së PS u vlerësua së tepërmi nga publiku i cili ndoshta priste që këtë ta bënin deputetët e PDIU.