Komisioni i Vettingut po jep rezultatet e para nga dita në ditë, kjo për shkak se numri i denoncimeve nga ana e qytetarëve për Gjyqtarët dhe Prokurorët është rritur. Në bilancin 8 mujor të denoncimeve të bëra publike në faqen e KPK rezulton se janë plot 1188 ankesa nga qytetarët në adresë të Gjyqtarët dhe Prokurorët. Gjatë periudhës janar-shkurt janë bërë gjithsej 321 denoncime.
“Për efekt transparence, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën publik dhe përditëson periodikisht online regjistrin e denoncimeve me qëllim njoftimin e publikut lidhur me numrin e denoncimeve të paraqitura. Regjistri i publikuar në faqen zyrtare të institucionit mban vetëm të dhëna numerike, duke qenë se të drejtat dhe interesat e denoncuesit mbrohen sipas parashikimeve të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, për efekt të sigurisë së tyre. Janar 187 Shkurt 134; Mars 115; Prill 146; Maj 171”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Lista prioritare
Interesant është fakti se shumica e denoncimeve të qytetarëve, që janë bërë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, janë në adresë të listës prioritare, e cila është duke kaluar në filtrat e procesit të vetingut. Lisat me emrat prioritarë që i janë nënshtruar apo po i nënshtrohen procesit të vetingut ka në përbërje gjyqtarët dhe prokurorë të rëndësishëm.
Ndërkohë që mësohet se për secilin nga këta, ka nga 5 deri në 6 denoncime nga ana e qytetarëve. Madje, denoncimet e qytetarëve kundrejt gjyqtarëve dhe prokurorëve janë raportuar nga ana e KPK-së gjatë seancave të ndryshme dëgjimore, duke shtuar se ankesat kanë qenë për gjithë trupën gjyqësore dhe jo për individin. Por megjithatë, mësohet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i ka marrë të gjitha denoncimet për bazë, pasi provat e paraqitura nga qytetarët, nuk janë shoqëruar me foto, video apo fakte kompromentuese ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
KPK thirrje qytetarëve: Denonconi
Po ashtu, në njoftimin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të vijojnë me denoncimet ndaj njerëzve të drejtësisë, duke i ftuar që të plotësojnë formularin e vënë në dispozicion pranë zyrave të organeve të vetingut. Madje, Komisioni i Kualifikimit u bëri thirrje qytetarëve që për çdo pretendim, duhet të paraqesin prova të qenësishme si fotografi, apo edhe dokumente të tjera. “Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 53 të tij, parashikon se: “Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt institucionet e rivlerësimit…” dhe për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mban regjistrin e denoncimeve. Në këtë regjistër mbahen të dhëna lidhur me numrin e denoncimeve, të dhënat e denoncuesit dhe subjektin e rivlerësimit për të cilin bëhet denoncimi”, thuhet në njoftimin e KPK-së.