Merkato po shkon në kulmin e saj, pavarësisht se vëmendja është në Botërorin e Rusisë. Kështu, portieri italian Xhixhi Bufon pritet t’i bashkohet Paris Saint Germain, edhe pse ka prej disa javësh që është duke vlerësuar ofertën e gjigantit francez. Sipas “Calciomercato.com”, Bufon tani është i gatshëm të nënshkruajë kontratë dy-vjeçare me PSG-në, pas disa javësh pasigurie.
Gardiani 40-vjeçar njoftoi muajin e kaluar se do të largohet nga Juventusi dhe nga ai moment u bë objektivi kryesor për portën e kampionit francez. Megjithatë, spekulimet dukej se ishin zbehur, pas raportimeve se Bufon kishte mendime tjera derisa PSG-ja po shikonte alternativa tjera. Por, mediumi italian shpjegon se tashmë është caktuar një takim për ta finalizuar marrëveshjen menjëherë. Mbetet vetëm të mësohen detajet, por e sigurt është se Bufon do të nënshkruajë kontratë dyvjecare me Paris Saint Germain. /Pamfleti Sport