Loading...

Bëni kujdes, ja dy plazhet në Shqipëri që kanë rezultuar me ndotje alarmante

Ndonëse vitet e fundit kanë investuar miliona euro në infrastrukturë në kuadër të rritjes së turizmit, disa plazhe të qytetit të Vlorës mbeten ende të ndotura.

Dy prej zonave që cilësohen si shumë të ndotura nga kontrolli i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë rezultojnë Plazhi i Marinës dhe Plazhi i Vjetër. Në këto dy zona, prej shumë vitesh ujërat e zeza të pallateve pranë vijës bregdetare vijojnë të shkarkohen në det për shkak të mungesës së sistemimit dhe disiplinimit të kanalizimeve. Për këtë arsye, DSHP rekomandon që të mos laheni në këto dy zona pasi uji është i një niveli të lartë ndotjeje, për shkak të mungesës së një impianti për përpunimin e ujërave të zeza.

Por, jo vetëm derdhja e ujërave të zeza, pasi problem mbetet edhe papastërtia ku në shumë vende gjenden grumbuj inertesh kuturu. Më shqetësuese situata mbetet në Plazhin e Vjetër në Vlorë, tashmë prej vitesh gjithmonë edhe më pak i frekuentuar, por edhe Plazhi pranë Akademisë së Marinës, nuk ndodhet në kushtet më të mira për të qenë nga të frekuentuarit për këtë sezon turistik.

Në Plazhin e Vjetër vijon të mbetet ende shqetësim kryesisht pastërtia, por në vende të caktuara, pavarësisht ndërhyrjeve, ka ende edhe derdhje të ujërave të zeza në det, duke e kthyer në një plazh shumë pak të frekuentuar, edhe pse mbetet një nga plazhet me rërë mjaft cilësore.

CILËSIA E UJIT

Në bazë të një informacioni të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë, rezulton se cilësia e ujit të detit në Plazhin e Vjetër, është mbi normat e lejuara sa i përket ndotjes, pasi ka prezencë të lartë të bakterit e.coli dhe streptokokut. Institucioni nuk ka dalë ende në një informacion zyrtar, pasi do të ketë sërish matje të kampionit të ujit, kryesisht në ditët kur pritet që plazhi të ketë një dyndje disa herë më të madhe nga pushuesit.

Sa i përket cilësisë dhe pastërtisë së ujit, mësohet se problematike mbetet dhe zona e plazhit pranë Akademisë së Marinës, edhe ky një plazh me ndotjen e ujit mbi normat e lejuara. Duket se shkaku kryesor mbetet pa dyshim derdhja e ujërave të zeza në det. Fakte që çojnë në përfundimin se në këto dy plazhe pritet të ketë gjithmonë më pak pushues edhe gjatë sezonit veror të këtij viti.

BASHKIA

Përveç mungesës së impiantit të përpunimit të ujërave të zeza që do të zgjidhte problemin e ndotjes së ujit, shqetësim mbetet edhe papastërtia. Bashkia e Vlorës ka ndërhyrë ditët e fundit për pastrimin dhe punimin e rërës si në Plazhin e Vjetër, ashtu edhe në Plazhin e Akademisë së Marinës apo Plazhin e Ri, të tre këto plazhe publike.

Nga informacionet e siguruara nga Bashkia e Vlorës, mësohet se gjatë këtyre ditëve, veç ndë- rhyrjes për pastrim apo punimit të rërës, do të ndërhyhet edhe në normalizimin për derdhjen e ujërave të zeza në det, duke e parandaluar përfundimisht këtë fenomen shqetësues, që vijon prej disa vitesh në Vlorë. Kjo do të zgjidhet me implementimin e fazës së dytë të impiantit për punimin e ujërave të zeza, që mund të sjellë përmirësimin e cilësisë së ujit për sezonin e ardhshëm turistik./Panorama

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com