Lulzim Basha nuk po punon më për opozitën që ajo të vijë në pushtet në mënyrë normale dhe përmes votës në ballafaqim elektoral me kundërshtarin.
Kryetari i PD është në kërkim të një rruge tjetër për të qënë në qeverisjen e vendit, atë të bashkëpunimit me partinë e vetme në qeverisje, Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.
Këtë e kanë kuptuar jo vetëm kundërshtarët politikë të Lulzim Bashës dhe qytetarët shqiptarë, por dhe vetë forumet e strukturat drejtuese të PD, të cilët nuk kanë ngurruar ta shprehin qoftë në takime të ngushta qoftë dhe indirekt publikisht duke nënvizuar se “duket pakt me qytetarët dhe me askënd tjetër”.
E kanë kuptuar këtë dëshirë të Bashës për të arritur një pazar me Ramën për bashkëqeverisje edhe aleatët e vet, ku kryetarja e LSI Monika Kryemadhi është tashmë dhe ajo në kërkim të një aleance me Ramën, qoftë dhe të pjesshme.
Këtë e ka kuptuar dhe kreu i LZHK, deputet i dalë nga listat e PD Dashamir Shehi i cili madje propozoi një udhëtim dyshe “turistik” me avion të Ramës e Bashës në shërbim të mirëqeverisjes dhe të integrimit të Shqipërisë në BE.
Pra Lulzim Basha është duke kërkuar me ngulm një Pazar me Ramën për të bashkëqeverisur në shtator vendin, një dëshirë e ushqyer dhe nga vetë kryeministri i cili deklaron se në shtator do të ketë ndryshime në qeveri.
Basha shpreson shumë se duke dështuar hapja e negociatave të Shqipërisë me BE më 28 qershor, ose sëpaku duke u hapur negociatat, por pa datë dhe duke u vënë kushte të forta për Shqipërinë, të bindë Ramën për domosdoshmërinë e një bashkëqeverisjeje mes PS e PD për hir të integrimit të vendit në BE.
Me këtë kartë në dorë dhe argumentin se një koalicion i tillë do të shihej me sy të mirë dhe nga partnerët evropianë dhe SHBA, Basha tenton të marrë një pjesë të qeverisjes së vendit pa u lodhur dhe pa bërë fushatë madje.
Duke treguar qartë se ajo bashkëqeverisje prej katër muajsh pas marrëveshjes së 18 majit të vitit të kaluar, ku mori drejtimin e ministrive më të rëndësishme në vend dhe gati të të gjitha institucionet më të rëndësishme që kanë lekë, i ka shijuar shumë.
Aq kërkues është Basha për të arritur një pazar bashkëqeverisjeje me Ramën në shtator, sa tashmë opozita ka harruar dhe akuzat e videopërgjimit të pretenduar të “Babales” me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, por dhe akuzat ndaj ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Tashmë Basha e ka përqëndruar gjithë sulmin ndaj kryetarit të grupit parlamentar njëherësh dhe sekretar të përgjithshëm të PS Taulant Balla për 3.4 milionë eurot e kapura në makinën “Toyota Yaris” në Durrës dhe ku janë arrestuar disa persona.
Sulme këto që janë neto politike, pasi gjithkush e di se Taulant Balla nuk ka pasur as nuk ka asnjë post apo funksion në qeverisjen e vendit, por vetëm funksione partiake në PS.
Një përllogaritje kjo e Bashës për të arritur te pazari me Ramën për bashkëqeverisje në shtator.
A do të pranojë Rama që aktualisht ka një grup prej afër 80 deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, kjo mbetet mister.
Megjithëse Ramës i mjafton vetëm karrigia e Kryeministrit, ndërsa të tjerat dhe mund ti bëjë objekt pazari dhe ti shesë.
Gjithsesi presim shtatorin, muajin vendimtar. Pasi dhe për Lulzim Bashën asnjë kauzë nuk ka rëndësi, për të efektiv është thjeshtë dhe vetëm përfitimi. Që me Ramën e ka arritur deri tani./Pamfleti/