Arta Marku do të jetë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme deri në vitin 2020.
Jo vetëm burimet nga organi i akuzës e paralajmërojnë, por dhe strategjia zyrtare dy vjeçare e punës së Prokurorisë së Përgjithshme e cila konsiston dhe në kapjen dhe dërgimin në burg të “peshqve të mëdhenj” e konfirmon qartë këtë fakt.
“Pamfleti” ka qënë i pari që ka paralajmëruar qëndrimin më shumë se dy vjet të Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare, referuar burimeve të sigurta brenda organit të akuzës.
Njëherësh “Pamfleti” paralajmëroi se zgjatja e ngritjes së SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, bashkë dhe me zbatimin e Vettingut të drejtësisë shqiptare në rastin më të mirë do të zgjasin mbi dy vjet.
Kjo vjen dhe për shkak të zvarritjeve të ngritjes së institucioneve të kapjes së “Peshqve të mëdhenj” përmes zbatimit të reformës në drejtësi nga ana e opozitës, por dhe involvimin në këtë bllokim dhe të Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Pikërisht për këtë arësye është parë e udhës që të dalin dhe disa ligje apo dispozita kalimtare, që i japin Arta Markut plofuqishmërinë për hapjen e dosjeve të mëdha dhe dërgimit para drejëtsisë dhe në burg të abuzuesve, kriminelëve e trafikantëve apo dhe “peshqit e mëdhenj”.
Dhe pavarësisht premtimit se Arta Marku do qëndronte për pak kohë në krye të akuzës si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, ajo ka hyrë në muajin e 6 të mbajtjes së detyrës që iu besua me 69 vota mes tensionit dhe tymit të Parlamentit.
Pikërisht ditën kur Adriatik Llallës i përfundoi mandati 5-vjeçar, Komisioni i Ligjeve çeli në datën 7 dhjetor procedurat për kandidatët për prokurorët të përgjithshëm.
Në këtë mbledhje u tha se Prokurori i Përkohshëm do të ishte fare pak në detyrë, madje Vasilika Hysi parashikoi afatin e qëndrimit jo më shumë se një muaj.
Por, me gjithë këto deklarata dhe jo vetëm, Marku ka ndërmend që ta mbajë gjatë drejtimin e akuzës përsa kohë ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk duket në horizont.
Por, tashmë kanë kaluar disa muaj dhe kandidatët që synojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë ende nën vetting, çka do të thotë se shtyhet edhe koha e drejtimit të akuzës nga Arta Marku si kryeprokurore e përkohshme.
TCH i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku strategjinë që ajo ka për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në përgjigjjen zyrtare, ndoshta për të treguar vullnetin për transparencë, Prokuroria e Përgjithshme na referoi tek faqja e internetit ku është publikuar strategjia e Arta Markut.
Por, pavarësisht përkohshmërisë që u deklarua me muaj, e vërteta është se kjo strategji ka afatin nga 2018 deri në 2020, ndërkohë që askush nuk ka deklaruar se kaq do të jetë edhe mandati i saj në këtë detyrë të përkohshme.
Duke vertetuar më së miri lajmërimin e “Pamfletit” kohë më parë që Arta Marku do të jetë kryeprokurore të paktën dy vjet./Pamfleti