Shoferi i ministrit Fatmir Xhafaj është gjendur i vrarë brenda një makine në garazhin e Gardës së Republikës në orët e para të mëngjesit. Edhe pse lajmi për krimin e rëndë është konfirmuar rreth orës 09:30, nuk ka asnjë reagim zyrtar. Ndërkohë kanë filluar edhe lëvizjet e para të zyrtarëve të lartë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka shkuar menjëherë në ministrinë e Brendshme, ku ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me ministrin Xhafaj.
Shkëlzen Qordja 31-vjeçi me detyrë shofer i ministrit të Brendshëm, është gjetur i pajetë nga punonjës të Gardës, ndërsa nga dyshimet e para mendohet të ketë qëlluar mbi veten. Arsyet nuk dihen ende, ndërsa burime thanë se në makinë është gjetur edhe një pistoletë.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që po punon për të qartësuar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, nga policia sqarohet se viktima nuk ka qenë i pezulluar nga detyra.