Adriatik Llalla ish kryeprokuror i Republikës, njëherësh dhe ish drejtor i Inspektoratit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive të zyrtarëve të lartë u dorëhoq për të mos iu nënshtruar Vettingut.
Dorëheqja u dha pasi Llalla nuk justifikonte pasurine marramendëse që kishte vënë, ndërkohë që tashmë është nën hetim penal për pastrim parash, abuzim me pushtetin, para të nxjerra në rrugë tokësore nga kufiri shqiptar jashtë vendit.
Janë mbi 30 prokurorë dhe gjyqtarë që ose kanë dhënë dorëheqjen nga Vettingu sepse nuk e kalonin dot atë për shkak të pasurisë së pajustifikuar, ose kanë mbetur në “rrjetën” e Vettingut për pasuritë e tyre marramendëse.
Vetëm nga sistemi i drejtësisë janë mbi 30 prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kanë justifikuar pasurinë dhe për pasojë nuk i kanë “mbijetuar” dot Vettingut.
Po të shohësh deklaratat e tyre të pasurisë së dërguar në ILDKPI ata e kanë “justifikuar” pasurinë e tyre zyrtarisht dhe janë në rregull me “letrat”.
Madje kanë marrë “ok” e një institucioni që ka për detyrë verifikimin e pasurisë së këtyre pjestarëve të sistemit të drejtësisë, kanë marrë “kartabiankën” për pasuri të vënë me “djersën” e ballit dhe pa asnjë abuzim. Pra kanë qënë të gjithë të pastër zyrtarisht nga ILDKPI.
Eshtë e shkruar në dokumentin zyrtar të ILDKPI-së që është dërguar në organet e zbatimit të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët kjo.
Ndërkohë që Komisioni i Vettingut i ka ngelur gati të gjithë në “klasë”, pasi nuk justifikojnë pasurinë. Dhe nuk janë pak, por mbi 30 gjyqtarë dhe prokurorë.
A ka nevojë më shumë për Vetting ILDKPI-ja e drejtuar nga Shkëlqim Ganaj, që ka certifikuar të gjithë pasunarët me lekët e qytetarëve në sistemin e drejtësisë si të pastër?!
Pasi është e tmerrshme të mendosh se njerëzit e drejtësisë që e kanë kaluar deri më sot Vetingun numërohen me gishta.
Pavarësisht se “Pamfleti” e kishte paralajmëruar këtë kohë më parë.
Pra të gjithë këta pasunarë të drejtësisë e kanë justifikuar pasurinë ndër vite në ILDKPI, ndërkohë që u desh vetëm një muaj nga zbatimi i vettingut që pjesa më e madhe e tyre të japin dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë vetëm për të mos deklaruar pasurinë, ndërkohë që të tjerët nuk e kaluan dot. Numërohen me gishta ata që kaluan Vettingun nga sistemi i drejtësisë, shumica prej tyre gra.
Dhe nuk po flasim për pasuri të pakta, por miliona euro, që bien në sy kollaj, që s’duan as verifikimin më të vogël për të kuptuar se janë para korrupsioni.
Vetëvetiu të lind pyetja: Si ka mundësi që ILDKPI prej mbi 14 vitesh nuk ka denoncuar asnjë gjyqtar e prokuror, i cili më pas të jetë dënuar për fshehje të pasurisë, e ndërkohë Vettingu, prej pak muajsh, ka shkarkuar gati 90% të sistemit të drejtësisë?!
Askush nuk mund të pranojë se ILDKPI është një institucion i populluar me njerëz të paaftë dhe që s’ka as mundësi, as mjete, as dëshirë për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kuvendi prej 2004-ës.
Ajo që duhet të pranohet është fakti se ky institucion është “nëna” e korrupsionit, pasi ka shërbyer përmbi 14 vite si “mbulojë” për korrupsionin në sistemin e drejtësisë.
Imagjino se çfarë ka bërë me politikanët e lartë dhe pasurinë e tyre, zyrtarët e lartë, ish ministra e ministra, deputetë e deri tek kryeministrat dhe ish kryeministrat, presidentët dhe ish presidentët.
Për këtë arësye, pikësëpari ILDKPI duhet të shkrihet tërësisht, dhe të gjithë anëtarët e tij të kalojnë në Vetting por dhe të shkojnë në burg për shkelje ligji.
Nuk ka asnjë nevojë për verifikim shkeljeje. Thjeshtë e vetëm se kanë kaluar gjithë sistemin e drejtësisë duke certifikuar pasuritë e tyre marramendëse dhe duke i quajtur të pastër, ata duket të shkojnë në qeli.
Askush të mos e mendojë se një shkelje të tillë ata e kanë bërë për “shpirtin” e babës. E kanë bërë për lekë, madje për shuma marramendëse lekësh. Ndaj duhet të dënohen.Pamfleti