Biblioteka Kombëtare ka shpallur gjendjen e emergjencës pas përmbytjes së katit të parë të godinës nga reshjet e së shtunës.
Sipas Bibliotekës, plot 12 mijë materiale rezultojnë të lagura nga shiu.
Biblioteka Kombëtare njofton se në orët e para të datës 23 qershor 2018, mbas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulëta të sallës.
Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.
Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i Vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip.
Nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre.
Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale.
Në funksion të kësaj emergjence dhe në respektim të protokolleve profesionale, njoftojmë se Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri 30 qershor.