Loading...

Zhvillimi i turizmit, qeveria paketë agresive me lehtësi fiskale

Sektori i turizmit shihet si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës.

Për shkak se turizmi ngërthen në vete një numër industrish dhe shërbimesh dhe përfshin dimensione sociale, kulturore dhe mjedisore përtej zhvillimit fizik dhe marketingut, turizmi posedon potencial të theksuar për të ndikuar në rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë gjatë një aktiviteti të mbajtur sot në Tiranë për turizmin prezantoi paketën agresive pozitive me lehtësitë fiskale të hartuar nga qeveria për këtë sektor.

Sipas tij, që prej vitit të kaluar po aplikohet një shkallë e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) 6 % për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “hotel/resort me pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

“I gjithë rajoni e ka këtë normë nën 10% dhe me ofrimin e nivelit prej 6%, Shqipëria është bërë tashmë një nga vendet me një paketë pozitivisht agresive të turizmit”, u shpreh Ahmetaj.

Gjithashtu, strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”, janë përjashtuar nga tatim fitimi për një periudhë 10 vjeçare.

Ahmetaj tha se turizmi shqiptar është në fillimet e tij dhe has vështirësi të konkurrojë me hotelet dhe cilësinë që ofrojnë resortet e vendeve të rajonet .

“Ndaj nevojitet një infrastrukturë e gjerë e cilësore në shërbim të strukturave akomoduese nga toka apo deti. Dhe paketa prej 1 miliard dollarë që ne i referohemi paketa e Partneritetit Publik Privat (PPP), në këndvështrimin e rritjes së ndërlidhjes bën një punë të konsiderueshme. Besojmë se do të ndryshojë një herë e mirë hartën e infrastrukturës në funksion të ndërlidhjes dhe absolutisht edhe turizmit”, u shpreh kreu i financave publike.

Brenda vjeshtës pritet të përfundojë e gjithë procedura konkurruese që bën ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për sa i përket PPP në infrastrukturën rrugore dhe sipas ministrit Ahmetaj të gjithë qytetarët shqiptarë do të shikojnë qartë se kemi si politikë investuese ngritjen e një aksi veri-jug me vizion dhe në shërbim të ofertës ekonomike-turistike të tanishme dhe të së ardhmes.

Në të njëjtën kohë, tha Ahmetaj kemi bërë edhe përjashtimin nga taksa e infrastrukturës brenda paketës promovuese në turizëm.

“Është një shifër e konsiderueshme, prej 8% e çmimit të shitjes për banesa dhe patjetër që në momentin që një grup investon në turizëm me shifra që fillojnë në nivelet 5-8 milionë euro dhe përfundojnë në projekte gjigande mbi 80 milion euro sigurisht që 8% i ndërtimit është vlerë e madhe” , vuri në dukje Ahmetaj.

Njëkohësisht, sipas Ahmetaj, do të kemi një tarifë të reduktuar për TVSH-në për akomodimin dhe ushqimin në njësitë e agro turizmit. Sipas tij, do të ulim tatim-fitimin nga 15% në 5% për këto njësi.

Tjetër lehtësi, tha ai, është përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë edhe për këtë grup sipërmarrjes që janë korente apo do të nisin investimet./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com