Hetimet për implikimin e Shkëlzen Berishën me trafikun e drogës dhe për lidhjet e ish-ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Klement Balilin tashmë e kanë rrugën të hapur. Me ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e Saimir Tahirit dhe drogës, anëtarët e Partisë Socialiste kanë patur në fokus zbulimin e fakteve të reja pikërisht për dy çështjet e mësipërme. Për këtë arsye ata patën përgatitur disa shkresa për informacione për t’jua drejtuar tetë institucioneve të ndryshme, por hasën në pengesën e Partisë Demokratike. Duke qenë se ky komision drejtohet nga demokrati Edi Paloka, ky i fundit nuk pranoi t’i firmoste kërkesat e PS, duke shfaqur tentativa për bllokimin e hetimeve të socialistëve. Mirëpo siç duket ngërçi i krijuar mes anëtarëve të PS dhe kryetarit të komisionit është zgjidhur.
Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, pasi Partia Socialiste iu drejtua me një shkresë Konferencës së Kryetarëve për t’i dhënë një zgjidhje për këtë pengesë të Edi Palokës, mes opozitës dhe mazhorancës është arritur konsensusi dhe shkresat janë firmosur. Burimet i thanë gazetës se tashmë këto kërkesa kanë mbërritur edhe tek institucionet si: Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Prokuroria e Përgjithshme apo edhe Ministria e Bujqësisë
Në këtë mënyrë, tentativat e Partisë Demokratike për të bllokuar hetimin e lidhjeve të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha me drogën dhe benefiteve që “Eksobari i Ballkanit” Klement Balili mund të ketë përfituar nga eksponentët e LSI kanë marrë fund. Pasi angazhoi edhe Konferencën e Kryetarëve, tanimë socialistët i kanë dorëzuar kërkesat e tyre për të dhënë dhe detaje për këto dy çështje dhe rruga për hetime është e hapur. Nuk dihet akoma se kur do të mbahet mbledhja e radhës e komisionit hetimor, por pritet që kur të zhvillohet të shqyrtohen materialet e ardhura nga institucionet pas shkresave të PS dhe PD dhe mund të zbulohen edhe fakte tronditëse.
Informacionet e kërkuara nga PS
Për të zbuluar lidhjet e Klement Balilit me LSI, Partia Socialiste ka dorëzuar kërkesë për informacion tek Ministria e Ekonomisë dhe e Bujqësisë. Tek Ministria e Ekonomisë do të kërkohen të dhëna për kontratën koncensionare të skanimit të kontenierëve; të dhëna lidhur me rastin Klement Balili , kontrata koncensionare ose qiradhënie shtetërore për të ose familjarët e afërt tij, si, kur, në cilat rrethana është vendosur privatizimi i hotelit Santa Quaranta të ndodhur në Sarandë, cili person ishte ministër në kohën që ka filluar procedura e privatizimit të këtij objekti, hapat e mëtejshme të ndërmarra.
Ndërsa nga Ministria e Bujqësisë do të kërkohen: Të dhëna lidhur me grante të dhëna shtetasit Klement Balili ose të afërmve të tij, sa është vlera e tyre, kur dhe nga kush janë dhënë, për çfarë janë dhënë. Nga ana tjetër, mazhoranca ka kërkuar që të hetohen edhe të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të akuzuar se janë implikuar me trafikun e drogës. Një nga këta emra është edhe djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, i cili është akuzuar nga Izet Haxhia se ka lidhje me trafikantë droge dhe është i përfshirë në trafik armësh. Për këtë arsye anëtarët socialistë kanë vënë në “shënjestër” edhe Shkëlzen Berishën. Në lidhje me trafikun e drogës, PS ka dërguar shkresa tek Prokuroria e Përgjithshme për të dhëna gjatë gjithë viteve, Ministria e Brendshme apo edhe SHISH.