Thellohen përçarjet brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Teksa kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë bërë thirrje për vijimin e aksionit opozitar, situata brenda këtyre dy partive nuk duket fort e kënaqshme. Gazeta ka mësuar se janë disa çështje, të cilat kanë çuar këto parti në një “përplasje” mes njëra-tjetrës. Së pari mësohet se shumë anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë filluar të braktisin partinë e Kryemadhit, duke iu bashkuar Partisë Demokratike në bashkitë e drejtuara nga demokratët.
Sipas informacioneve, këto lëvizje të militantëve të LSI janë bërë me qëllim që këta të fundit të ruajnë vendet e punës, por edhe në këmbim të një vendi pune, sidomos për ata anëtarë që janë të papunësuar. Po ashtu, gazeta ka mësuar se një tjetër arsye që ka futur PD-në dhe LSI në konflikt është moskoordinimi i bazës së këtyre dy partive.
Mësohet se baza demokrate është e irrituar sa i takon bashkëpunimit të Bashës me Kryemadhin, duke bërë që të mos ndërmarrin asnjë lëvizje për të mobilizuar dhe çuar përpara aksionin opozitar të paralajmëruar nga krerët e opozitës. Ndërkohë rasti më i freskët, ka qenë dje, ku deputeti i LSI, Robert Bitri, i cili është një zë kritik ndaj Bashës, ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, pavarësisht se opozita ka paralajmëruar bojkot të komisioneve.
Pra në një farë mënyre prania e zotit Bitri në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, është një mesazh i fortë dhe i qartë për Kryemadhin, se ai nuk pajtohet me bashkëpunimin e LSI-së me PD-në.
Përplasje për zgjedhjet vendore
Mirëpo, nuk ndalet me kaq pasi gazeta ka mësuar se janë edhe disa çështje të tjera, që kanë thelluar përçarjet brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për ndarjen e bashkive, sa i takon zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Gazeta e ka deklaruar pak ditë më parë se Basha dhe Kryemadhi kanë nisur konsultimet, duke ndarë bashkitë me njëra-tjetrën. Sipas informacioneve, mos hapja rrugë e Bashës në disa bashki të mëdha, të cilat drejtohen nga LSI, si ajo e Gjirokastrës, duke kërkuar që kandidat në këtë njësi administrative të jetë një i nominuar nga radhët e Partisë Demokratike, ka futur në përplasje PD me LSI.
Po ashtu, gazeta mësoi se Basha ka qenë stoik duke mos lëshuar pe edhe në thuajse 15 bashkitë e drejtuara nga demokratët, për të cilat mësohet se ka kërkuar që kandidatët garues në zgjedhjet vendore për këto njësi të jenë të përzgjedhurit e tij dhe jo të Kryemadhit.
Bitri sulmon Bashën
Pavarësisht mbledhjes së përbashkët të dy grupeve parlamentare dhe vendimit për bojkot, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë të unifikuar në qëndrimin e tyre. E ndërsa PD në thuajse shumicën e rasteve ka bojkotuar komisionet parlamentare, e kundërta ka ndodhur me disa nga deputetët e LSI, të cilët jovetëm kanë dalë kundër vendimit të Kryemadhit por kanë marrë pjesë në komisione.
Madje, deputetët e LSI nuk kanë kursyer edhe akuzat në adresë të Lulzim Bashës. Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti Bitri është shprehur kundër vendimit të përbashkët PD dhe LSI për mosbindje civile dhe braktisje së jetës parlamentare. “Lulzim Basha nuk është kryetar i partisë sime dhe nuk jam dakord për mosbindje civile dhe braktisjen e Parlamentit”, deklaroi deputeti i LSI, Robert Bitri, pak ditë më parë./SOT