Ambasadori amerikan Donald Lu do të largohet këtë verë nga Shqipëria. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Zëvendës-Sekretari amerikan në detyrë, Mathew Palmer.
Në një prononcim për Mapo, i pyetur mbi ndryshimin e mundshem te politikës së SHBA ndaj Shqipërisë, Palmer përgjigjet se përparesitë e politikës së Washington-it do të jenë të njëjta.
Ndër to ai liston edhe mbështetjen e Reformës së Gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit thotë se për emrin e ambasadorit të ri duhet pyetur në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Lu e ka marrë detyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri në vitin 2014. Ai do të mbahet mend si njeriu që arriti të miratonte Reformën në Drejtësi me konsesuesin e plotë nga të gjitha palët politike si dhe me angazhimin e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.
Ai zëvendësoi në detyrë paraardhësin e tij, Alexandër Arvizu.