Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha se janë duke shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Komentet e tij erdhën si reagim ndaj deklaratave të djeshme në parlament të kryeministrit Edi Rama sipas të cilit nëse do të kishte patur implikim të ministrit Xhafaj, ambasadori amerikan do të kishte qenë i pari që do të kishte folur. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tone”, u përgjigj në reagimin e shkurtër ambasadori amerikan.
Opozita e ka akuzuar ministrin e Brendshëm se i ka dhënë mbrojtje vëllait të tij, të arrestuar në vitin 2002 në Itali dhe i dënuar në 2012 me 7 vjet e dy muaj burg, për pjesmarrje në organizata kriminale që merreshin me trafik lëndësh narkotike. Ajo ka bërë përgjegjës zotin Xhafaj se, në pozitën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, ka ndërhyrë vitin e shkuar, duke bërë një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale që sipas saj mbron direkt të vëllanë e tij.
Anëtarja e Komisionit, socialistja Vasilika Hysi hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke deklaruar se neni të cilit ajo i referohet është reflektim i Konventës europiane. “Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës së ekstradimit, protokolli shtesë. Në komision është votuar varianti që është në fuqi”, shkruajti zonja Hysi në një postim të gjatë në Facebook.
Por demokratë reaguan sërish duke e quajtur të pavërtetë një deklarim të tillë. “Konventa Europiane e Ekstradimit thotë shprehimisht se ekstradimi mund të refuzohet, vetëm në ato raste kur Shqipëria mendon se procedurat e gjykimit në një cështje konkrete nuk përmbushin të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për një person të akuzuar për një vepër penale. Në këtë rast, kërkohet garancia për rigjykim. Nëse personit të dënuar në mungesë, i janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, por ai vetë ka zgjedhur që t’i fshihet drejtësisë, atëherë jo vetëm nuk kërkohet garanci për rigjykim, por sipas Konventës është e detyrueshme që të lejohet ekstradimi”, shpjegoi Gazmend Bardhi, ekspert ligjor i PD-ës. Nga ana e tij deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se “Prokuroria ka detyrimin ligjor të marrë në përgjegjësi penale Fatmir Xhafajn për falsifikim dokumentash dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë publikë”.
Edhe Lëvizja socialiste për integrim, është e idesë se, “ndonëse e vonuar, Prokuroria shqiptare duhet të fillojë çështjen për të zbardhur si qëndron e vërteta”, deklaroi sot në një dalje publike kreu u grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili sipas të cilit rruga tjetër do të ishte dhe një hetim parlamentar. “E gjithë kjo praktikë duhet zbardhur, duhet parë në ç’mënyrë ka funksionuar gjithë kjo çështje dhe në fund të ditës të gjithë do jenë më të qartë se çfarë ndodhi, pse ndodhi, në rast se ka përgjegjës, të përgjigjen deri në fund për atë që kanë bërë me qëllime të caktuara”, u shpreh zoti Vasili, duke propozuar njëkohësisht neni i debatuar i Kodit të Procedurës Civile të abrogohej menjëherë “dhe të ulemi në tavolinë dhe të ribëjmë përcaktime të reja, të cilat mbyllin alibitë për shpëtimin e kriminelëve dhe trafikantëve dhe e kthejnë kodin në një instrument lufte të papajtueshme me krimin e organizuar dhe trafiqet”, theksoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.