Dosja për vrasjen e ish-deputetit të PD, Azem Hajdari, shumë shpejt pritet të rihapet. Mbrëmjen e së martës u ekstradua në Tiranë, Izet Haxhia, i dënuar si bashkëpunëtor në vrasje, mirëpo rikthimi i tij në vendin tonë do të trazojë dhe një herë politikën dhe drejtësinë. Prej ditësh ishte deklaruar se ai do të kërkojë rihapjen e çështjes dhe dje kanë nisur zyrtarisht procedurat. Avokati i tij, zoti Fran Dashi, ka pasur një takim me të në ambientet e burgut 302 dhe më pas nisi procedurat për të rihapur çështjen ndaj tij.
Avokati do të kërkojë rishqyrtim duke qenë se Haxhia u dënua me 25 vite burg në mungesë, por kjo do të thotë se dosja Hajdari do të rihapet dhe Haxhia ka treguar gatishmëri të tregojë me emër dhe mbiemër të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.
“Izeti është shumë i lumtur që pas 20 vitesh kthehet në atdhe. Në gjendje të mirë, me memorie të pastër. Ju siguroj që shëndeti i tij është i plotë. Ne jemi duke studiuar aktet e para dhe pikësynimi dhe pretendimi jonë është për rihapur dosjen e nga para e pasi gjykimi dhe hetimi ndaj tij për 12 shtatorin, është bërë në mungesë. Gjykata e Shkallës së Parë në vitin 2001 ka deklaruar ikjen e të pandehurit duke caktuar avokat kryesisht. Ne kemi besim të plotë se çështja do shkojë drejt rihapjes. Unë jam përfaqësues ligjor i Izet Haxhisë dhe jo përfaqësues politik”, tha ai.
Rruga që do ndiqet
Sa i takon rrugës që do të ndiqet për rihapjen e çështjes, gazeta “Sot” ka mësuar detaje. Avokati dje nisi procedurat për të hartuar gjithë dokumentacionin dhe pas 48 orësh nga ekstradimi i Haxhisë, atij i lind e drejta që të kërkojë rihapjen e çështjes. Dosja do të dorëzohet në gjykatë dhe më pas Haxhia do të paraqitet para trupit gjykues.
Por sipas burimeve, avokati i tij do të përdorë dy elemente: ndryshimet që janë bërë në Kodin e Procedurës Penale dhe një vendim që ka dhënë Gjykata e Strasburgut. Me ndryshimet që u bënë në kod në kuadër të reformës në drejtësi procesi i rishqyrtimit të çështjes është shumë më i lehtë. Fillimisht është nenin 450 i Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton në pikat “dh” dhe “e” se një person i dënuar në mungesë mund të kërkojë rihapjen e çështjes.
“Rishikimi mund të kërkohet: kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet; kur personi është gjykuar në mungesë sipas nenit 452 të këtij Kodi dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet”, thuhet në ligj.
Një tjetër nen që do përdoret në gjykatë është neni 449, i cili deklaron se rigjykimi mund të kërkohet në çdo kohë. Një tjetër nen është neni 453, i cili detyron gjykatën të shqyrtojë kërkesën.
“Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin. Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në nenin 450 ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë ose kur rezulton haptazi e pambështetur, gjykata vendos mospranimin e saj. Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë. Kundër vendimit nuk lejohet ankim”, thuhet në nen.
Po ashtu janë dhe nenet 451 dhe 454 ku i dënuari ka të drejtë të kërkojë rigjykim përmes avokatit dhe po ashtu i lind e drejta të kërkojë pezullim të dënimit. Pritet që kërkesa e vaktit të Haxhisë të depozitohet në Gjykatën e Tiranës dhe i takon kësaj të fundit të vendosë nëse do ketë apo jo rishqyrtim të çështjes.