Është ndërprerë për të tretën seanca parlamentare, pasi opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi u bëri thirrje deputetëve demokratë që të ulen në vendet e tyre, ndërkohë që këta të fundit nuk pranuan.
“Uluni poshtë e mos e zgjasni. Ndaj kryetar i grupit, kolegë të opozitës, ulni poshtë. Se ndryshe do të vazhdojë me çështje të tjera që kemi në rend të ditës. Atëherë zoti Gentian Sula, kryetari i këshillit të RTSh, në pamundësi që të marrë fjalës, pasi opozita ka bllokuar foltoren, ndërpritet seanca”, tha Ruci.
Teksa deputetët e opozitës ishin në foltoren e Kuvendit kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi që të hiqej dorë nga diskutimet dhe të kalohej me një herë në votim.
“Shqiptarët nuk duan fjalë po vepra, votoni sepse në secilën për zonat nga keni ardhur mezi presin investime nga rrjeti vaditës. Zoti kryetar i Kuvendit dua t’u kërkoja të hiqnim dorë nga diskutimet dhe të kalojmë menjëherë në votim”, tha Balla.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pranoi propozimin e Ballës duke kaluar menjëherë në votim, teksa opozita vijonte të fliste në foltore.