Loading...

Vettingu në polici, 44 efektivë në Tiranë japin dorëheqjen

Policia e Tiranës ka bërë dje publike të dhënat sa i takon vetingut në radhët e efektivëve. Sipas saj, në kryeqytet 44 policë kanë dhënë dorëheqjen nga detyra duke mos dorëzuar formularët e vetëdeklarimit. Sipas ligjit për verifikimin e figurës dhe pasurisë së punonjësve të policisë, të gjithë efektivët duhet të deklarojnë të ardhurat e tyre dhe pasuritë që kanë. Procesi i vetingut konsiderohet si një ndër masat kryesore për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjës të korruptuar apo të lidhur me elementë kriminalë. Pas dorëzimit të formularit të deklarimit, nis faza e verifikimeve

Çdo polic që nuk e kalon këtë proces, do të përjashtohet nga radhët e Policisë së Shtetit. Dy ditë më parë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj deklaroi se procesi i vetingut në polici ka përmbushur pritshmëritë e ministrisë. I ftuar në një studio televizive, Hodaj tha se procesi i vetingut është mbyllur me sukses si në kryeqytet, ashtu dhe në qarqe.

“Deri tani procesi i ka përmbushur pritshmëritë tona. Shumica e punonjësve i ka dorëzuar formularët. Policia e Shtetit dhe Garda, duke qenë se kanë numra të mëdhenj, kishin parashikuar edhe struktura asistence për punonjësit. Procesi është mbyllur në Tiranë dhe rrethe. Për shifra të sakta do të flasim në ditët në vijim, pasi të bëjmë një analizë.

Por, mund të them se 95%-98% e punonjësve e ka përmbyllur procesin e dorëzimit të formularëve”, tha Hodaj. Më tej, zv/ministri Hodaj u ndal edhe tek dorëheqjet e efektivëve. Ai tha se vetingu vlen vetëm për ata që janë në detyrë dhe se të gjithë efektivët e dorëhequr nuk do t’i nënshtrohen procesit pasi nuk janë më pjesë e policisë.

“Ata që kanë dhënë dorëheqjen nuk janë më punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo SHÇBA-së, kështu që nuk mund t’i nënshtrohen këtij procesi. Vetting-u vlen vetëm për ata që janë në detyrë e duan të vazhdojnë në detyrë”, tha ai. Ndërsa sa i takon vakancave të krijuara në Policinë e Shtetit, Hodaj tha se ato do të plotësohen ose nga ish-punonjës ose nga Akademia e Sigurisë. “Vakancat mund të plotësohen nga ish-punonjës ose nga Akademia e Sigurisë që ka kapacitete për të mbushur radhët”, deklaroi zv/ministri Hodaj.

Zv/ministri Julian Hodaj bëri me dije dje se po punohet me ngritjen e Komisionit të Jashtëm të Vetingut dhe se brenda majit do të nis vlerësimi për gradat e larta. “Aktualisht po punohet me ngritjen e Komisionit të Jashtëm të Vetting-ut dhe Sekretariatit Teknik. Në datën 27 maj, bordi përzgjedhës, që është i përbërë nga 5 institucione, Ministria e Brendshme, Avokati i Popullit, Shërbimi Informativ Shtetëror, komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi dhe komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale, ka shpallur vakancat”, tha Hodaj./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com