Loading...

Vendim Kapaj dhe rrugëtimi me fyellin magjik 300-vjeçar

Harilla Koçi

Dy muaj më parë, mjeshtri i fyellit, Vendim Kapaj, u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i Madh”, krahas mjaft emrave të tjerë të njohur të folklorit në Shqipëri.

Ky titull ishte për Kapajn, shpërblim i kontributit dhe arritjeve të tij, në fushën e trashëgimisë shpirtërore, i asaj rruge që nisi në fëmijërinë e tij me një ëndërr.

Të dilte në radio, ëndrra e fëmijërisë Në ato vite të largëta të fëmijërisë, ai kishte një ëndërr; të dilte në radio! Ishte një ëndërr, që, për mjaft bashkëmoshatarë të asaj kohe, mbetej e tillë deri në fund. Por, Vendim Kapaj, e realizoi. Madje shumë, më shumë se kaq.

Sot, pas kaq vitesh, mjeshtri i madh i fyellit, qesh me këtë. I kujton, me nostalgji ato vite të largëta dhe atë “ëndrrën” e tij, që nuk e linte për asnjë çast të qetë teksa gërmonte në rekuizitat e familjes, aty ku do të gjente mjetin që do ta bënte të njohur.

Duhet të hysh në kontekstin e asaj kohe, për të zhbiruar në ngarkesën që përcjell një raport i tillë me jetën dhe synimin e gjithsecilit në të. Dhe në ato rekuizita, do të niste për djaloshin, rruga e tij drejt artit, drejt skenave ku ai do të mahniste me talentin e vet.

Instrumenti i interpretimit, një fyell tunxhi 300-vjeçar Një fyell prej tunxhi, 300-vjeçar, a ndoshta më tepër, ngacmoi imagjinatën e 7-vjeçarit, në ato vite të largëta. E gjeti diku, në një sënduk, ashtu, të mbushur me pluhurin e kohës, gjatë të cilës kishte qëndruar i fshehur. Gjyshi, stërgjyshi, paraardhësit e tij, që e kishin ndërtuar atë instrument, tashmë nuk jetonin. Por, jetonte dhe do të vazhdonte të jetonte emri që ata kishin lënë. Dhe ai fyell, që do të prodhonte tinguj të magjishëm edhe atje, ku imagjinata e tyre as që do të guxonte të shkonte.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com