Këshilli i Ministrave do të përfshihet shumë shpejt nga një valë e madhe ndryshimesh. Kryeministri pak javë më parë dha sinjale se në shtator mund të ketë ndryshime, por vala e shkarkimit të ministrave pritet të nisë që në korrik dhe më pas do të përfundojë në shtator. Burime të sigurta të gazetës pranë ekzekutivit thanë se kryeministri ka vendosur që të ndryshojë rreth 40-50 për qind të kabinetit qeveritar.
Përjashto kryeministrin dhe zv/kryeministren, kabineti përbëhet nga 13 ministra dhe 5-6 prej tyre do të dorëzojnë detyrën. Vala e ndryshimeve do të nisë sapo Këshilli i Bashkimit Europian të marrë vendimin për negociatat e Shqipërisë. Më 28 qershor do të vendoset nëse do ketë sinjal pozitiv dhe sido që të vendoset, qeveria do pësojë ndryshime. Burimet i thanë gazetës se në të dyja rastet argumentet që do të përdorë kryeministri do të jenë sa i takon energjive të reja për realizimin e reformave.
Nëse hapen negociata, BE do kërkojë më shumë angazhim në përmbushjen e kritereve të reja dhe për këtë arsye do ketë lëvizje. Por edhe nëse nuk hapen negociata, qeveria do të ndryshojë, por këtë herë ndoshta në shtator, me qëllim që të plotësohen kushtet dhe të merret një vendim pozitiv në fund të vitit. I pari i cili pritet të largohet është ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Edhe pse kryeministri u rreshtua krah tij pas sulmeve të opozitës, pritet që Xhafaj në korrik ose në shtator të largohet.
Largimi i tij do të ndodhë bashkë me disa ministra të tjerë. Pra sinjalet janë se ndryshimet në qeveri do të ndiqen nga dy faza. Fazë e parë është ajo e korrikut, ku gjithçka varet nga negociatat, ndërsa faza e dytë është ajo e shtatorit ku mbi 50 për qind e ministrave do të duhet të lënë postet e tyre. Një burim i tha gazetës se deputetët dhe vetë kryeministri janë të pakënaqur me shumë prej ministrave, sidomos sa i takon punësimit. Baza socialiste ka nisur të irritohet sepse ka kaluar 1 vit nga zgjedhjet dhe sërish nuk janë futur në punë. Kjo ka bërë që dhe shumë deputet të ankohen te Rama për shumë ministra, të cilët nuk denjojnë t’u hapin as telefonat. Të gjitha këto arsye do të bëjnë që të kemi një kabinet qeveritar të rifreskuar në verë.
Turi i llogaridhënies
Një tjetër test për ministrat është turi i llogaridhënies. Në fillim të muajit maj kryeministri dhe ministrat nisën një proces takimesh në të gjitha njësitë administrative në vend. Por nga ky tur takimesh është vënë re se ka shumë pakënaqësi. Si në platformën e bashkëqeverisjes, ashtu dhe përmes shkresave apo komunikimit direkt, mësohet se janë me mijëra qytetarët që denoncojnë punën e ministrave.
Në fund të këtij turi do të bëhet një bilanc i ankesave për secilin sektor dhe atje ku çalon puna ministrat do të duhet të largohen dhe t’u lënë vendin emrave të rinj. Kohët e fundit qeveria është vënë me shpatulla pas murit nga opozita, ku nuk kanë munguar sulmet dhe akuzat. Kjo ka bërë që dhe shumë ndërkombëtarë të kthejnë sytë nga vendi ynë dhe të monitorojnë me kujdes situatën.
Për këtë arsye kryeministri po mendon të emërojë në qeveri njerëz me integritet dhe që i përshtaten funksionit. Ndërkohë sa i takon postit të ministrit të Brendshëm, janë disa deputetë, anëtarë të Komisionit të Sigurisë që presin të emërohen në atë post. Bëhet fjalë për deputetë me karrierë në polici, por aspirata kanë dhe disa të tjerë në Komisionin të Ligjeve me karrierë në fushën e drejtësisë./Kliti Topalli