Një histori si e telenovelave dramatike është ajo e Orjanës që ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur”.
Ajo është vetëm 32 vjeç por ka një të shkuar plot me dhimbje. Orjana Këllezi ka humbur në këtë jetë pothuajse gjithë familjen, nënën, babain dhe vëllain ndërsa tani po rrezikon djalin e saj 7 muajsh.
Vëllai i Orjanës bëri vetëvrasje por drama nuk mbaroi me kaq. Pas një viti kreu vetëvrasje nëna e saj në zonën e liqenit në Tiranë. Nuk kaloi shumë kohë dhe babai Skënderi ra pre e alkoolit dhe humbi jetën në kushte që ende nuk dihen. U gjet në morg pas 6 muajve që kishte humbur çdo kontakt me të bijën.
Orjana tashmë ka vetëm një vëlla i cili endet rrugëve dhe nuk ka askënd në këtë botë. Pas humbjes së njerëzve të dashur ajo emigroi në Itali, ku u dashurua me një shtetas italian, Igor Sterbizi me të cilin ka lidhur dhe kurorë. Jetuan në shtetin italian për disa kohë dhe kur Orjana do kthehej në Shqipëri për të ribërë disa dokumente, bashkëshorti i mbylli telefonin dhe nisi një bashkëjetesë tjetër.
“Unë jam martuar në Itali në vitin 2014 në 11 gusht. Akoma jam e martuar por nuk ma jep divorcin. Shteti italian më ka dhënë një ekspuls sepse kam kaluar kohën prej 3 muajsh dhe kur erdha për të bërë disa dokumente në Shqipëri, burri im nisi bashkëjetesën me një grua tjetër”, tregoi Orjana, raporton “BalkanWeb”.
E vetme në mes të katër rrugëve, u lidh me një shtetas amerikan, Polin i cili punonte në ambasadën amerikane në Tiranë. Nga një lidhje tre mujore ajo mbeti shtatzënë dhe solli në jetë një djalë, Liorin. Por shtetasi amerikan me emrin Pol e braktisi kur mori vesh shtatzëninë.
“Unë mendoja se nuk mund të bëja fëmijë. Nuk e prisja të ngelja shtatzënë. Shkoja në banesën e Polit, e kishte përballë liceut. Kur ai ikte në punë i pastroja shtëpinë, laja rroba, i hekurosja rrobat. Kur mbeta shtatzënë dhe i tregova ai u zhduk. Shkova tek banesa e tij por roja i pallatit më tha se nuk banonte më aty. Nuk e di ku është tani”, tregoi në një lidhje telefonike me News24 Orjana.
E pashpresë, në muajin e 7-të të shtatzënisë, Orjana niset drejt Piacencës Itali, ku dëshironte të rinovonte letrat pasi zyrtarisht ajo figuronte e martuar me shtetasin italian. Pas dy ditëve qëndrimi në hotel e zënë dhimbjet e parakohshme, shtrohet në spital atje dhe pas dy muajve sjell në jetë djalin. Strehohet nga shërbimi social në këtë vend si dhe gjen mbështetjen e motrave Nënë Tereza.
Por aty ku mendoi se gjithçka po shkonte mirë, aty shkatërrohet gjithçka.
Më datën 8 maj asaj i kanë marrë djalin në shërbimin social dhe nuk ia japin me pretendimin se 32-vjeçarja nuk është e aftë ta rrisë.
“Fëmijën ma kanë marrë në maj dhe nuk më lënë ta shoh më. Në 8 maj unë dola me djalin dhe më qëlluan në kokë e përfundova në spital. Kur dola nga spitali fëmijën e kishte marrë asistentja sociale dhe tani nuk ma lënë më sepse thonë jam e papërshtatshme. Nuk e di ku është djali. Më kanë thënë që është në komunitet por nuk e di ku është. Nga psikologja e qendrës është bërë një raport pozitiv për mua, por nuk është marrë parasysh. Unë kujdesesha për djalin dhe deri atë ditë nuk ishim ndarë kurrë. Djali im ka edhe disa probleme shëndetësore dhe kujdesesha në maksimum për të. Jam e pashpresë. I bëj apel shtetit shqiptar pasi nuk kërkoj asgjë, vetëm të më ndihmojnë të marr djalin”, apelon 32-vjeçarja, e cila është e gatshme që të kthehet të jetojë edhe në Shqipëri vetëm të marrë djalin. Në studio ishte dhe kushëriri i saj që tregoi çfarë i kishte ndodhur 32-vjeçares.
Stafi i emisionit “Me zemër të hapur” në News24, kontaktoi me avokaten për të drejtat ndërkombëtare Natasha Shehu, e cila i dha disa udhëzime përmes telefonit Orjanës por premtoi që do ta ndihmonte falas për të marrë djalin e saj në rrugë ligjore. Avokatja Shehu gjithashtu u shpreh se 32-vjeçares për shkak të martesës me një shtetas italian i takon të marrë dokumentet e qëndrimit, por edhe nëse nuk ndodh në këtë rrugë, Orjana sipas avokates ka të drejtë qëndrimi për shkak të djalit, i cili ka lindur në Itali.