Loading...

Tragjasi i vjetër ka nisur të flasë !

Për të shkuar në fshatin Tragjas i Vjetër, duhet të kthehesh në të majtë të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, rreth 500 metra pa mbërritur në qytezën e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës. Duhet të përshkosh fshatin Tragjas i Ri dhe të ecësh nëpër një rrugë, vërtet të paasfaltuar, por gjithsesi të pranueshme dhe të kalueshme nga automjetet. Tragjasi i Vjetër, ndodhet në kreshtën e disa kodrinave, që shfaqen papritmas, pas kthesave të shumta, në një lartësi prej më shumë se 300 metra mbi nivelin e detit. Në hyrje të këtij fshati, që në fakt, tashmë është vetëm një mori ngrehinash gjysëm të shkatërruara, krijon një perceptim për atë që ka qenë krijuar këtu prej shekujsh. Këto ngrehina duket sikur flasin për çdo vizitor, që mund të mbërrijë këtu, i ngacmuar nga historia dhe nga ajo çka mbetur nga jeta e dikurshme. Kanë kaluar rreth 70 vjet qëkurse ky ngulim është braktisur prej banorëve të tij të dikurshëm, por këtu jeta vazhdon të jetë e gjallë. Ajo pulson. Perceptohet në gjithë këtë mjedis, ndonëse ngrehinat janë gjysmë të rrënuara, të mbetura në këtë gjendje pas atij momenti kur fshati u shkatërrua dhe u dogj nga pushtuesit gjermanë, në atë vit të largët të 1944-ës.

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Banorët u larguan prej këtu, për t’u zhvendosur poshtë, në luginë, shumë më pranë bregut të detit, ku është sot fshati. Por, pas lanë kujtimet e prindërve, të gjyshërve, lanë një histori shumë të pasur të ndërtuar nga këta njerëz, por edhe një traditë të shquar në ndërtim. Pavarësisht gjendjes, gjysmëbanesat e Tragjasit të Vjetër flasin për çdo vizitor. Këtu nuk gjen njerëz, por, tragjasiotët nuk e kanë braktisur atë. Kthehen shpesh për të parë të shkuarën e tyre. Madje, kjo këmbëngulje ishte edhe një nga faktorët që përshpejtoi projektin e rikonstruksionit të sheshit të fshatit, atje ku sot ndodhet një krua. Tashmë, Tragjasi i Vjetër flet. Ai ka nisur të vizitohet nga njerëzit, por edhe nga të huajt, që zbulojnë aty vlera tërheqëse të historisë dhe të traditës në ndërtim. Pak vjet më parë, një profesor francez, që vizitoi rastësisht këtë vend, u befasua nga ajo që pa. “Është një vend përmes të cilit ju mund të tërhiqni mjaft turistë, nëse do të investoni”, u shpreh ai. Kohë më parë u ndërhy për riparimin e pjesshëm të rrugës, ndërkohë që u përshtat disi edhe sheshi i fshatit.

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Më tej, është e nevojshme të rikonstruktohen edhe disa nga banesat më të mirëmbajtura. “Sheshi i këtij fshati, i shpallur monument kulture, është një nga elementët kryesorë referues të të gjithë mjedisit arkitekturor, që përfaqësohet nga ndërtesa të vjetra që pasqyrojnë traditën e hershme të kësaj zone”, thonë specialistët. Banesat e braktisura prej dekadash nga pragfundi i Luftës së Dytë Botërore dhe, në tërësi, fshati Tragjas i Vjetër, përfaqësojnë një traditë të pasur e të veçantë në ndërtim, që mund të shndërrohen në resurse të rëndësishme, në funksion të zhvillimit të turizmit. Kjo favorizohet edhe nga pozicioni gjeografik i fshatit, në zonën bregdetare të Orikumit. Gjatë muajve të verës, ky fshat vizitohet nga pushues nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga të huaj, turistë nga Maqedonia , Mali i Zi, Franca e Italia. Specialistët janë optimistë se, gjatë periudhës së verës, Tragjasi i Vjetër mund të shndërrohet në një referencë për vlerat kulturore në funksion të zhvillimit të turizmit. Sipas historianëve, ky vendbanim është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV, nga Gjergj Arianiti, babai i Donika Kastriotit./Shekulli

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com