Loading...

Tragjasi , fshati me histori shekullore !

Në lartësinë e disa kodrave që dominojnë fushën e Dukatit, rreth 25 km. larg qytetit të Vlorës, shtrihet Tragjasi i Vjetër, një nga ngulimet më të hershme në këtë rreth. Sipas historianëve, ky vendbanim është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV, nga Gjergj Arianiti, babai i Donika Kastriotit. Tragjasi i Vjetër ka një histori të pasur që nis prej lashtësisë. Mendohet se zanafilla e kësaj qendre të banuar daton diku në shekullin VI para Krishtit, por është konkretizuar në fund të shekullit XV.

Gjatë udhëtimeve të tij, piktori i famshëm Eduard Lir u ndal dhe në Tragjasin e Vjetër, ku ka qëndruar një natë. Sipas historianëve, ai ishte mrekulluar nga natyra dhe pozicioni gjeografik i fshatit. Mendohet që ai të ketë qëndruar diku, në veri të fshatit, pranë shkollës së dikurshme dhe prej andej ka krijuar një nga tablotë e tij më të njohura.

Gjithsesi, histori të tilla me personazhe realë, mund të ndeshësh shumë për fshatin e Tragjasit të Vjetër dhe banorët e tij.

Djem të tij janë të njohur në çeljen e shkollave të para shqipe në Vlorë, në fillimin e shekullit të kaluar. Përmendet këtu Ibrahim Efendiu, i cili në 26 shtator të vitit 1908 hapi shkollën e parë shqipe në këtë fshat, drejtor i së cilës ishte Tahsin Hoxha. Tragjasi i Vjetër u braktis në pragfundin e Luftës së Dytë Botërore.

Fshati me histori shekullore u dogj dy herë nga pushtuesit, për shkak të angazhimit të banorëve të tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në muajin gusht të vitit 1943 shënohet dhe djegia e fundit e fshatit, gjë që përkon me braktisjen përfundimtare të tij nga banorët, që u zhvendosën më poshtë në luginë. Ata ndërtuan shtëpi, atje ku ndodhet sot fshati.

Ajo që ka mbetur nga historia shekullore

Nga Tragjasi i Vjetër tashmë kanë mbetur vetëm gërmadhat e banesave te ngritura shekuj më parë. Në to reflektohet një traditë mjaft e pasur në ndërtime. 280 ngrehina karakteristike prej guri, në pjesën më të madhe dykatëshe, janë shpërndarë në disa çuka kodrash, që dikur formonin 5 lagjet e këtij fshati. Dallohen qartë duart e mjeshtërve të punimit në gur, të cilët nuk janë kursyer në gdhendjen e elementëve artistikë. Mbi një majë shkëmbi, në krye të kodrës që qarkon fshatin, nga ana jugore, ngrihen gërmadhat e një ndërtese mjaft të veçantë. Historiani Halo Sinani, thotë se ajo është ndërtuar prej Zeqir Ismailit, që kishte emigruar në fillim të shekullit të kaluar në Amerikë, ku edhe ishte shkolluar. Ismaili, njihet si autor i konstruksionit të dekovilit të parë shqiptar, që lidhte Vlorën me Selenicën. Në ndërtimin e banesës janë përdorur dendur elementë të arkitekturës amerikane, që spikasnin veçanërisht në mënyrën e realizimit të çative, të ndara këto për çdo dhomë. Banorët e dikurshëm të këtij fshati tregojnë edhe për Mustafa Selim Muço Tragjasin, i arsimuar për ekonomist në Stamboll, në një grup me Mustafa Qemal Ataturkun.

Ai ka shërbyer si kryefinancier në qeverinë e Ismail Qemalit dhe më pas, në atë të Fan Nolit. Në vitin 1944 u kap nga gjermanët dhe u dërgua në kampin famëkeq të Mat hauzenit, ku vdiq në moshën 76 vjeçare. Megjithëse nuk banohet prej 60 vjetësh, brenda kontureve të fshatit spikasin qartë elementët përbërës të tij, një rruginë kryesore që e përshkon në të gjithë gjatësinë, nga lindja në perëndim dhe rrugica që zbresin, apo ngjiten drejt saj, nga veriu në jug dhe anasjelltas. Në qendrën e dikurshme ndodhen dy kroje, ai i njerëzve dhe i kafshëve. Ata janë pranë njëri- tjetrit dhe uji i pastër si kristali dhe i ftohtë si akulli, gurgullon pa mbarim në to. Kroi i kafshëve dikur mbulohej nga një kupolë, që ngrihej mbi gjashtë kolonada. Ndërsa, ai i njerëzve ka një fasadë harkore. Edhe në to nuk mungojnë elementët artistikë të gdhendur me mjaft kujdes.

Në Tragjasin e Vjetër edhe varr monumental

Në hapësirën e fshatit ndesh jo rrallë edhe mjaft varre. Ato gjenden brenda kontureve te tij. Duket sikur jeta dhe vdekja, këtu qëndronin pranë njëra- tjetrës. Në një kodrinë dominuese ndodhet njëri prej tyre. Eshtë një varr monumental që i ka qëndruar mjaft mirë kohës. Kolonat mbajtëse të kupolës lidhen me njëra- tjetrën me harqe të ndërtuar me gurë. Mbi to lartësohet një kolonë guri e latuar.

Në kulmin e kolonës spikat kësula, që përdorej rëndom nga besimtarët myslimanë. Është varri i Ali Mehmetit, babait të Alem Mehmetit, një personazh mjaft i njohur në jug të vendit, për kontributin e tij në kryengritjet kundër pushtuesve turq. Çeta që udhëhiqej prej Alemit ishte më e madhja në jug të Shqipërisë, në kryengritjen e viteve 1910-1911, në prag të shpalljes së Pavarësisë. Në shenjë mirënjohjeje, kur ai vdiq, në vitin 1925, bashkëfshatarët i ngritën këtë varr. INFO ARKIVA

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Rezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeterImazh i ngjashëmRezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeterRezultate imazhesh për foto tragjasi i vjeter

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com