Emisioni “Exsclusive” ne Top Channel tregoi sot se sa të pasur janë ata që përfaqësojnë popullin në Parlament.
Në fushata elektorale ata u premtojnë zgjedhësve se do t’i zgjidhin hallet dhe problemet e tyre. Kur hyjnë në Parlament debatojnë dhe kacafyten me njëri-tjetrin për varfërinë dhe mjerimin e shqiptarëve. Një pjesë e të zgjedhurve vijnë nga bota e biznesit. Ka nga ata që zotërojnë pasuri të frikshme, ndërsa nuk mungojnë akuzat për blerje mandatesh.
E të paktën me atë që deklarohet zyrtarisht, ky parlament me 140 deputetë dhe kushton 150 milionë euro.
Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike thotë se “Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sepse politika ka dështuar”.
“Shumë politikanë kanë pasuri shumë të mëdha jo në emrin e tyre. Personalisht, kam fatin që kompanitë e mia punojnë në tregun e huaj, nuk bëjnë asnjë euro xhiro në tregun shqiptar. Nuk kam përfituar gjë me tendera apo koncesione”, deklaron Shehaj.
Kurse analisti Andi Bushati shpjegon arsyet pse biznesmenët i futen politikës: “Njeriu që ka bërë para’, kërkon të jetë edhe personazh i respektuar përmes politikës. Duan edhe një lloj mbrojtjeje më të madhe se një qytetar i thjeshtë për atë milionin e parë që nuk dihet si e kanë bërë”.
Bushati thekson gjithashtu se “një deputet që ka biznes, kur i duhet të miratojë një ligj fiskal, teorikisht është në kushtet e konfliktit të interesit”.
Sakaq Instituti i Studimeve Politike thotë se në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjenden 7 deputetë që kanë aktivitete private prodhuese dhe tregtuese, pra në fushën në të cilën ata shqyrtojnë dhe marrin vendime.