Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka zbuluar detaje nga protesta e opozitës që do të mbahet nesër përpara kryeministrisë. Ristani i ftuar në ‘’Fax News” tha se në këtë protestë forca e PD-së do të jetë pjesëmarrja e lartë e qytetarëve, dhe se nuk do të ketë asnjë akt dhune.
Ristani tha se protesta do të zgjasë për disa orë me radhë, ndërsa nuk ka një afat se kur do të përfundojë.
‘’Forcën tonë e kemi te pjesëmarrja e qytetarëve nga i gjithë vendi, nuk do të ketë asnjë përdorim dhune, protesta do të jetë e qetë. Kjo protestë do të jetë kundër bandave që drejtojnë dhe kanë marrë peng vendin. Rama po luan me ëndrrën e shqiptarëve, që është integrimi i vendit në BE”, u shpreh Ristani.
Lidhur me akuzat e kryeministrit Rama se 613 kilogramët e kokainës në Durrës implikojnë njerëz të PD-së, Ristani tha se kjo është një shashkë e radhës, për të hequr vëmendjen nga aktualiteti politik.
‘’Së pari janë kapur keq, po ndodhin ngjarje të rënda, ka video dhe filmime të tjera që implikojnë ministra”, u shpreh Ristani.
“Zotërinj ministra, qëndroni me sytë nga selia e PD-së, ku ju pret gijotina e videopërgjimeve”.
“Ristani tha më tej se Rama ka marrë sinjale se negociatat nuk do të hapen dhe situata përrreth tij po përkeqësohet dita-ditës.
“Lidhur me audiopërgjimin e ‘’Babales’’, Ristani u shpreh se PD-ja është e bindur lidhur me vërtetësinë e saj, dhe se Prokuroria do të duhet të punojë me ritme më të shpejta për zbardhjen e së vërtetës te publiku.