Loading...

”Të më hiqet njolla se në banesën time është kryer transplant organesh”, familjarët kërkojnë dëmshpërblim nga shteti

Emri i tij pushtoi të gjitha mediat ndërkombëtare, kur ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte, do të ngrinte dyshime se në një banesë në fshatin Gurra e Matit janë kryer transplante të organeve për luftëtarët serbë gjatë luftës së Kosovës për qëllime tregtie.

Më pas, ishte deputeti zviceran, Dick Marti, që në cilësinë e raportuesit në Këshillin e Europës paraqiti raport për “Shtëpinë e Verdhë”. Kjo bëri që në vitin 2012, të ushtrohej kontroll në banesë nga hetues ndërkombëtarë, të ndihmuar nga pala shqiptare.

Kur kanë kaluar më shumë se 6 vite nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij të vjetër 2-katëshe, Mersim Katuçi kërkon vendosjen e drejtësisë në vend. 59-vjeçari shprehet se, asgjë nga akuzat nuk është vërtetuar dhe tani kërkon dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar dhe familjes së tij t’i kërkohet falje për akuzat dhe stresin e përjetuar nga gjithë kjo histori.

“Akuzat e bëra nga Dick Marti janë të pavërteta dhe të sajuara dhe se kontrolli ishte i paligjshëm”, thotë Katuçi, i cili shton se për këtë gjë i ka dërguar letër Ministrisë së Drejtësisë. Kjo e fundit, në një përgjigje për ankesën, sqaron se, kontrolli nuk është ushtruar në kuadër të një procedimi penal në gjykatë shqiptare, por për llogari të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY).

Për këtë arsye, i sugjerohet që t’i drejtohet Ministrisë së Jashtme për ndjekjen e çështjes. “Kontrolli në banesën tuaj, shkruhet në letër, është ushtruar nën drejtimin e Mattu Raaitikainen, drejtues i ekipit hetues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, me lejen e qeverisë shqiptare. Në lidhje me pretendimet tuaja për drejtuesin e Prokurorisë rezulton se ky i fundit ka shoqëruar grupin e hetimit, por nuk ka kryer veprime procedurale apo ushtruar funksionin e tij si prokuror në kuadër të këtij hetimi.

Në këto kushte, vijon përgjigja, pretendimet tuaja në lidhje me veprimet procedurale të kryera nga organet e posaçme ndërkombëtare, do të duhet t’i drejtoheni Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila shpreh dhe mbron interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe shtetasve shqiptarë, në fush- ën e marrëdhënieve ndërkombëtare”, thuhet në letrën që Ministria e Drejtësisë i ka kthyer familjes Katuçi.

58- vjeçari shprehet i vendosur për t’i shkuar deri në fund të vërtetës dhe për këtë arsye do të kërkojë nga Ministria e Jashtme, ankimimin e çështjes në Këshillin e Europës.

“Nuk do të ndalem deri kur e vërteta të dalë në dritë të diellit. Së pari, jam sqaruar se pala shqiptare paska dhënë pëlqimin për kontrollin e shtëpisë time. Tani dua të më hiqet njolla se në banesën time është kryer transplant organesh”, përfundon Marsim Katuçi, duke saktësuar se është e para herë që merrte një përgjigje./Panorama

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com