Loading...

Skandali CEZ/ Romeo Kara: Pas Ismailajt është rradha e Metës dhe Berishës. Ky është fati i parashkruar i vjedhësve

Gjykata e Apelit ka lënë në burg ish-administratorin e DIA, Kastriot Ismailajn. Ky i fundit u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 11 vite burg për aferën CEZ-DIA, por nuk u pajtua me vendimin dhe bëri rekurs në Apel. Por ditën e djeshme Apeli vendosi që të lërë në fuqi të njëjtin vendim, duke bërë që Ismailaj të qëndrojë në qeli.

Nga provat e administruara gjatë gjykimit të këtij procesi penal, sipas prokurorisë rezulton se i pandehuri Kastriot Ismailaj, nëpërmjet gënjeshtrës dhe paraqitjes së dokumenteve fiktive, në bashkëpunim me të bashkë të pandehurit e tjerë ka krijuar një mekanizëm të tërë fiktiv, nëpërmjet të cilit ka bërë të mundur vjedhjen e shumës 649, 803, 520 lekë, nga shoqëria “CEZ Shpërndarje”, në vitet 2010-2011.

Reagon Romeo Kara

Mbi vendimin e djeshëm të Apelit ka reaguar për gazetën “SOT” juristi i OSHEE Romeo Kara. Ai është një ndër personat që e njeh Ismailajn dhe ka bërë një padi në prokurori pikërisht për aferën CEZ-DIA.

“Shpreh kënaqësinë që për herë të parë finalizuam me sukses deri në vendimin e formës së prerë, të Gjykatës së Apelit Tirane, luftën dhe përpjekjet për të dënuar një nga mashtruesit më të rrezikshëm që ka njohur Shqipëria. Ky mashtrues ndërkombëtar, në shpirt antishqiptar, krijoi pasoja të rënda në Kongo, por këtu u ndalua në momentin e duhur. Tashmë fitorja jonë pothuaj u plotësua, pas asaj që u fitua në Arbitrazhin e Vjenës, ku u parandalua një humbje prej 170 mln eurove dhe shpalljes debitor të këtij keqbërësi me 9.5 mln euro nga Gjykata Civile e Tiranës. Fitorja do të quhet e plotë, kur në zbatim të vendimit të Gjykatës Civile Tiranë, strukturat shtetërore dhe ato përmbaruese të realizojnë kthimin e kësaj shume në arkën e shtetit, si pronar i vetëm i OSHEE. Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet t’i gëzohen kësaj fitoreje të parë mbi të keqen. I siguroj se nuk do të jetë fitorja e fundit”, tha Romeo Kara.

Akuza Metës dhe Berishës

Juristi Kara deklaroi dje se pas Ismailajt tani është radha e ish-kryeministrit Berisha dhe e presidentit Meta. Sipas tij, edhe ata janë të përfshirë në këtë skandal.

“Nën shembullin e Ismailajt duhet të shkojnë në burg të gjithë mashtruesit, sidomos ata publik, që përdorin politikën dhe pushtetin për të rrjepur pa mëshirë këtë vend e këtë popull. Ismailaj nuk ka qenë i vetëm në aferën e tij, përkundrazi ka pasur bekimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës si dhe atë të drejtuesve të “CEZ-Group” dhe “CEZ-Shpërndarje”.

Të shpresojmë, që kjo ngjarje të ndikojë sadopak në afrimin e ditës kur këta bajlozë të korrupsionit do të marrin dënimin e merituar, shoqërinë e Ismailajt në burg si dhe konfiskimin e të gjithë pasurisë së tyre. Shpresoj që fatin e tij të kenë sa më shpejt të gjithë ata që janë të ngjashëm me të, pavarësisht se kujt gajde partiake i bien. Shpresoj gjithashtu që të gjithë të babëziturit, që administrojnë asetet publike, ta kuptojnë më në fund se, ky është fati i parashkruar i vjedhësve”, tha ai. Romeo Kara pak kohë më parë ngriti një padi penale ndaj Berishës dhe Metës po për aferën CEZ-DIA, por deri më tani nuk ka pasur asnjë zhvillim nga prokuroria

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com