Loading...

Si e eliminoi Enver Hoxha shokun e shkollës dhe si ndikoi në jetën dhe fatin e tij njohja me ish-diktatorin

Prej ditësh, mbesa e ish-juristit të dënuar nga regjimi komunist, Abdulla Rami, Ermira Xhomaqi, gjendet në Shqipëri. Prej vitesh ajo jeton në Paris, si për të vijuar pak jetesën franceze që gjyshi i saj, pas studimeve në Montepellier, la përgjysmë… Ermira ka ardhur këtu për të kujtuar emrin e tij, që ndryshe nga të tjerët, historia e këtyre 28 viteve liri, nuk e ka përmendur shumë.

Mbase, prandaj edhe libri i saj, monografia për gjyshin, erdhi kaq vonë! Jo se nuk e bënte dot vetë, e rritur me imazhin e letrave e dosjeve të tij të shkrimeve, ajo nuk e kishte më të thjeshtë se të tjerët ta pasqyronte jetën e tij në të gjitha pikëpamjet, por për një kohë nuk mendoi se këtë duhet ta bënin familjarët e tij. Sidoqoftë, sot kemi në dorë librin “Përtej harrimit”, shkruar nga Ermira Xhomaqi, për gjyshin e saj që në fakt tashmë e trajton si një personazh historik, Abdulla Rami.

E keni njohur gjyshin?

Jo, për fat të keq kam qenë shumë e vogël kur ai është ndarë nga jeta dhe nuk kam asnjë kujtim të gjallë me të. Mirëpo, fryma e tij ishte përherë përreth nesh. Mamaja i mbante si të shenjta letrat e dorëshkrimet e tij dhe këtë imazh e kam të ngulitur fort nga fëmijëria, nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, kur e shihja t’i ruante në sëndukun e vjetëruar të shtëpisë ku jetonim, në internim.

Prej atëherë kanë kaluar shumë vite. Kur menduat që t’iu riktheheni jo vetëm vizualisht atyre dorëshkrimeve, për t’i përmbledhur në një libër?

Mendimi duhet të ketë qenë gjithmonë aty, por mori formë vetëm tre vite më parë, kur unë nisa kërkimet nëpër të gjitha “stacionet” ku ishte ndalur Rami. Shpresoj, ky libër të jetë një dëshmi me të vërteta të hidhura, por me përmasa të mëdha. Kam hezituar mjaft ta shkruaja këtë monografi; në radhë të parë sepse, kam menduar se duhej dikush tjetër dhe jo një pjesëtar i familjes, ta ndërmerrte një mision të tillë, por faktet, ngjarjet, njohja me dorëshkrimet dhe dokumentacionin e gjerë në arkivat shtetërore dhe familjare, e gjithë kjo histori, mendoj se i kapërcen përmasat e së zakonshmes dhe shtrihet në një hapësirë që i përket sot mbarë shoqërisë sonë.

E kjo ma shtoi detyrimin e shkrimin e kësaj vepre. Ndaj ngurrimin e parë e shmanga. Ndjeva se vitet po kalonin dhe harresa nuk do të falte më asnjërin prej nesh, ndjeva kujtimet e së shkuarës të më trazonin rrjedhën e së përditshmes dhe ngjarjet për humbjet e njerëzve të familjes të më rëndonin gjithnjë e më shumë. Ishin humbje të rënda, dhimbje po aq të rënda të cilat tronditin të vuajturin, por edhe më të pavuajturin dhe gjithë ata njerëz të ndershëm që mbeten pas, s’do të mund të jetonin kurrë më në paqe, kurrë!

Edhe pse nuk e keni takuar, ju duhet të jeni pjesëtarja e familjes që e njeh më shumë jetën e Ramit. Na tregoni diçka nga gjithë rruga që përshkuat

U kthye në një mision dhe ditë mbas dite e muaj pas muaji i dha udhë një pune, e cila zgjati plot tre vjet. Befas, e gjeta veten në gjurmët e një rinie të sakrifikuar, eca ditë mbas dite në udhët e një jete të vrarë, u përplasa gjithkund me terrorin e një kohe të egër, pësuar padrejtësisht dhe gjeta gjithandej gjurmë plagësh, që ende pulsojnë. Rrugës takova me dhjetëra njerëz: bashkëvuajtës e bashkëkohës të Ramit, të afërm, të njohur e të panjohur, të cilët ma plotësuan këtë figurë dhe më shtynë ta trajtoj atë përtej përmasave familjare. Jam përpjekur të sjell në këtë shkrim modelin e një njeriu, i cili u bë martir i lirisë dhe i atdhedashurisë. Të përcjell sakrificat, dhimbjet dhe amanetet e tij.

Janë ato që thërrasin sot për të mos na lënë ne në heshtje dhe indiferentë, sepse kur flasim e dënojmë një diktaturë që ka përpirë jetë njerëzish, koha nuk mund të ketë më nocionin e saj të zakonshëm në fjalët “dje dhe sot”. Ne të gjithë kemi nevojë për një model të tillë për figurën e këtij intelektuali, ende të panjohur dhe të pavlerësuar ashtu si duhet dhe më duhet ta theksoj, pavarësisht se tashmë u vu në dukje, faktin që Abdulla Rami i përkiste asaj elite të re shqiptare, të formuar në periudhën më të bukur, por edhe më tragjike të viteve ’20-’30 të shekullit XX, të përgatitur në nivelet më të larta të universiteteve europiane.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com