Loading...

Saranda çel sezonin turistik, mbërrin kroçera e parë me 2500 turistë

Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon dhe e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare çeli sezonin e ri turistik “Verë 2018”.

Në ceremoninë e organizuar në sheshin e Limanit, Sarandë, përveç qytetarëve sarandiotë ishin të pranishëm edhe 2500 turistë të huaj që erdhën në qytetin bregdetar me kroçerën e parë për këtë sezon.

Kryetarja e bashkisë së Sarandës, Florjana Koka duke i uruar mirëseardhjen turistëve të huaj, tha se “ne sot menduam që t’u ofronim këtë mikpritje dhe pritje të ngrohtë . Nuk mendoj se kishim arsye më të fortë sesa ju sepse ju konsiderojmë dallëndyshen e parë që ikën çdo vjeshtë e vjen çdo pranverë”.

Koka u uroi gjithashtu turistëve të huaj qëndrim të këndshëm dhe të kthehen sërish në qytetin bregdetar të Sarandës.

Pjesë e aktivitete promovuese për sezonin e ri turistik ishin grupe fëmijësh që pedalojnë, artistë që performuan artin popullor të veshur me kostume popullore të trevave shqiptare, si dhe notarë, zhytës e ekipe njerëzish që japin siguri jete në plazhe.

Gjithashtu gjatë gjithë ditës u zhvilluan aktivitete promocioni nga Parku Kombëtar i Butrintit, rrjeti i Hotelerisë e restoranteve, të organizuar në Shoqatën e profesionistëve të turizmit STI, sektori i Kulturës Kombëtare, profesionistet e rinj të turizmit, që përgatit shkolla Hoteleri-Turizëm, operatorët turistikë e ata bankarë, agjencitë imobilare që operojnë në këtë rajon, tregtarë të suvenireve me prodhime deti, tregtarë të punëve të dorës e qëndismave, deri tek realizime promovuese të profilit dhe funksionimit të institucioneve në varësi të Bashkisë Sarandë.

Aktivitetet për promovimin e Sarandës do të vijojnë më 12 dhe 13 maj 2018, me edicionin e 6-të të Festës së Midhjes në Ksamil, ku do të ketë promocion, shijim dhe argëtim.

Qyteti i Sarandës, që e ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal.

Saranda është klasifikuar në krye të 21 destinacioneve për t’u vizituar për vitin 2018 nga National Geographic.

Plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i pasqyrave, i Ksamilit, etj, ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare./ATA

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com