Salca me hudhra dhe arra është e lehtë, aromatike, kremoze, e shëndetshme dhe pa gluten.
Arra dhe hudhra janë pa dyshim ndër përbërësit më të shëndetshëm që natyra i ka dhënë njeriut.
Të pasura me vlera shëndetësore, këta dy përbërës i japin shije fantastike çdo recete gatimi.
Të kombinuara bashkë në një salcë të lehtë kremoze me plot vlera ushqyese, arrat dhe hudhrat shndërrohen jo vetëm në një pjatë mrekullueshme që kënaq shijen por edhe në një shoqëruese fantastike të shumë gatimeve të tjera, të mishit, peshkut, perimeve apo makaronave.
Receta e mëposhtme e sugjeruar nga AgroWeb.org përbën një mënyrë fantastike për ta përfshirë arrën dhe hudhrën në regjimin tuaj ushqimor.
Salca mund të përdoret edhe në sallata, apo me perime të freskëta ose të gatuara. Atë mund ta përdorni edhe si shoqëruese të ushqimeve të pjekura në furrë.
Salca me hudhra dhe arra mund të përdoret edhe si zëvëndësuese e majonezës në panine apo për të lyer bukën.
Ndërkohë, salcën mund ta përgatisni të trashë dhe kremoze ose më të hollë si majoneza. Gjithçka varet nga mënyra e kombinimit të vajit gjatë përgatitjes dhe përzierjes së butë të hudhrës me vajin.
Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të përfituar nga vlerat e mrekullueshme të hudhrës dhe arrave për shëndetin tuaj.
Si ta përgatisni salcën krem me arra krejt lehtë
Përbërësit
10 thelpinj hudhre
Kripë
1 gotë vaj ulliri
4 lugë gjelle me lëng limoni (një limon)
1 filxhan çaji me arra të grira
Pak uthull (sipas dëshirës)
Udhëzimet
1. Hidhini hudhrat, arrat dhe kripën në një mikser. Përziejini deri sa të formohet një pure e butë dhe kremoze. Përziejeni purenë në mikser mirë deri sa mos të ketë ngelur asnjë copë arre apo hudhre.
- Më pas, ndërkohë që mikseri është në punë, hidhni nga pak gjysëm gote me vaj. Hedhja e vajit duhet të jetë e njëtrajtshme dhe e ngadaltë. Më pas hidhni një lugë çaji me lëng limoni
Hidhni sërish gjysëm gote vaji dhe lugë çaji me lëng limoni deri sa të gjithë përbërësit të jenë futur në mikser.
Alternimi mes vajit dhe lëngut të limonit duhet të jetë i vazhdueshëm që të garantojë shpërbërjen dhe ndërlidhjen e plotë të të gjithë përbërësve duke krijuar kështu salcën e lehtë dhe kremoze të hudhrës.
- Salca konsiderohet e bërë kur është e bardhë në ngjyrë dhe e trashë si majoneza. Proçesi zgjat 10-15 minuta.
Shënime
Nëse salca prishet gjatë përzierjes në mikser, atëherë mos shtoni më shumë vaj dhe lëng limoni. Më mirë vazhdoni me miksimin deri sa salca të lidhet sërish.
Salcën mund ta ruani në një enë të mbyllur hermetikisht në frigorifer për një muaj.