Loading...

Sabit Brokaj komenton audio- përgjimin për ”çështjen Xhafaj”: Ja çfarë thotë Vlora për rastin e ”Babales”

I ashtuquajturi audioskandal i përgjimit me vëllain e ministrit të Brendshëm në fokusin e analizës së Dr. Sabit Brokajt, ish-ministër i Mbrojtjes.

Pse Dr. Brokaj e quan këtë përgjim një sajesë false të opozitës dhe cili është qëllimi i vërtetë që fshihet pas tij.

Cili është Babalja në Vlorë dhe pse vlonjatët qeshin me këtë personazh.

Arsyetimi i Dr. Brokajt që e quan opozitën “idiote” që jo vetëm nuk ka ditur asnjëherë të bëjë punë të mira për Shqipërinë, por edhe intrigat i bën shumë keq dhe që nuk i beson askush. Për më tepër në Vlorë…

– Doktor, kemi më shumë se një javë që opinion publik po ndjek një audiopërgjim që implikon vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Opozita ka vendosur të bëjë një protestë në Tiranë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm. A është ky një pretekst për të bërë protesta dhe sa e besueshme është opozita në një ndërmarrje të tillë?

– Po e ndjek me vëmendje gjithë këtë që po ndodh dhe më vjen vetëm keq për një opozitë të tillë. Pse e them këtë? Gjithçka është një skenar i montuar shumë keq në të gjitha aspektet. Askush me mend në kokë nuk e beson këtë skenar. Kjo që po ndodh është një lojë e ndyrë e opozitës. Kam parasysh këtu taktikat e luftës së saj politike.

Dhe i vetmi qëllim i kësaj gjoja lufte politike të saj aktualisht është për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE, kur aktualisht jemi më afër se kurrë kësaj ëndrre evropiane të shqiptarëve. Pa asnjë mëdyshje këtë unë e konsideroj një qëndrim antishqiptar dhe antikombëtar të opozitës. Më e keqja është se kjo është një lojë antishqiptare dhe është e lexueshme se gjithçka bëhet për të penguar hapjen e negociatave me BE-në.

– Doktor, ata që flasin janë njerëz konkretë, të cilët tashmë njihen publikisht. Pse duhet vënë në dyshim audiopërgjimi dhe faktet që serviren në të?

– Fare thjesht. Për ata që kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në vend sidomos muajt e fundit, natyrisht që kjo që tashmë na serviret si një skup i madh, ishte e pritshme. Do të sajohej me doemos një ngjarje e tillë. Mirëpo problemi është më i thellë se sa duket. Sepse ashtu sikurse ata nuk kanë mend të bëjnë gjëra të mira dhe me brumë për të mirën e këtij vendi, ashtu nuk kanë mend të bëjnë edhe sajesa të kësaj natyre.

– Pse e quani këtë një sajesë?

– Sepse paaftësia dhe idiotësia e tyre që pasqyrohet në të bërit opozitë, pasqyrohet edhe në këtë qëndrim që ata gjoja bëjnë në kundërshtimin që i bëjnë qeverisë. Jo thoni pse e konsideroj këtë një sajesë? Sepse është një sajesë e mirëfilltë me një qëllim të pastër antikombëtar. Kujt i intereson në Shqipëri apo kujtdo në Europë që të dërgosh emaile pambarim në të gjitha kancelaritë me këtë të ashtuquajtur skandal, sikur të ishte dhe i vërtetë.

Përveç mosvotimit të hapjes së negociatave, nuk ka asnjë qëllim tjetër. Mirëpo ato shërbejnë vetëm si bumerang për këtë opozitë, sepse vijnë zgjedhjet e radhës dhe të gjitha këto emaile dhe sajesa të opozitës do të përkthehen në votën e popullit. Dhe populli që i njeh shumë mirë problemet, që nuhat të keqen që shumë larg di të ndëshkojë pa mëshirshëm…

– Pse jeni kaq i bindur në këtë që sapo më thatë?

– Unë pak më parë u thashë se mirë që nuk janë aspak të zotë të bëjnë një punë të mirë për të vend, po pse janë dhe kaq idiotë për të bërë punët e këqija. Merre me mend të marrësh për dëshmitar Babalen dhe ta paraqesësh atë si njeriun e së vërtetës, si kauzë për një lëvizje të opozitës për të përmbysur qeverinë. Kuje e zezë!

Po a e dini ju se kush është Babalja? Me Babalen në Vlorë tallen të gjithë. Kur hapet ky muhabet qeshin të gjithë kur u përmend Babalen.

Këtë e them me siguri, pasi unë e kam mundësinë që të shkoj shpesh në Vlorë dhe e di mendjen e tyre.

Qeshin në Vlorë sepse ai shumë-shumë ka qenë një mbushës bidonash… E ja, këtë Babalen ka zgjedhur opozita që t’i përfaqësojë në këtë “betejë” politike që i ka shpallur qeverisë…

– Meqë jemi te Vlora që ka bërë histori dhe ku ju shkoni shpesh, ç’mendim ka Vlora për protestën e radhës të opozitës më 26 maj?

– Po unë ua thashë pak më parë se Vlora tallet me rastin e Babales. Për pasojë tallet dhe qesh edhe me ata që përfaqësohen nga Babalja. E them këtë me përgjegjësi se para dy ditësh isha vetë në Vlorë dhe komunikoj përditë me njerëzit e mi atje.

Është e mençur dhe trime Vlora dhe e di se kur ia bën bamp. E kur tallet Vlora me këtë opozitë, mendoj se duhet të tallet e gjithë Shqipëria. Le ta marrin vesh edhe ndërkombëtarët këtë fakt… Ju në “DITA” me të drejtë e kini denoncuar si rastin e Babales ashtu dhe qëllimin e keq të opozitës në këtë rast. Prandaj dhe e gjithë kjo zhurmë po përcillet me indiferentizmin më të madh./DITA

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com