Quhet e tillë sepse është gatuar posaçërisht për Ali Pashanë, sundimtarit të njohur të jugut të Shqipërisë, kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane.
Receta për Pulë Ali Pasha, një gatim i shndërruar në tradicional të sofrës shqiptare. Famoz për të huajt që vizitojnë Shqipërinë e sidomos restorantet me gatimet e traditës.
Një recetë e shijshme, e përgatitur me më të mirat e kuzhinës, duke kombinuar mishin e bardhë të pulës me një mbushje perfekte nga gështenjat e deri tek rrushi i thatë.
Ja receta tipike si të traditës së pulës së mbushur Ali Pasha.
Përgatitja e Pulës Ali Pasha
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
Pulë 1 kg
1 filxhan çaji me gështenja të qëruara
2 filxhan kafeje me oriz
2 lugë gjelle me rrush të thatë
1 kokërr qepë
1 lugë gjelle me gjalpë të freskët
Piper
Kanellë
Një grusht bajame
Përgatitja
Merret një pulë mesatare, e majme dhe e re. Pula pastrohet, lahet dhe mbushet.
Zgjidhen gështenja të mëdha, vendosen të ziejnë për 5 minuta. Qërohet lëvozhga dhe cipa e brendshme dhe copëtohen në katërsh.
Merren bajame të qëruara nga cipa dhe priten hollë.
Po ashtu edhe rrush i thatë pa fara dhe vendoset në ujë të vakët që të zbutet dhe bymehet.
Në tenxhere me gjalpë kaurdiset qepa, hidhen mëlçitë e pulës të grira dhe orizi dhe më pas kaurdisen së bashku.
Shtohen gështenjat, rrushi i thatë, bajamet, pak kripë dhe lëng pule ose ujë.
Masa lihet të zjejë, derisa të ketë pirë lëngun dhe të jetë bërë një pilaf i shkrifët dhe i papërfunduar mirë.
Kur e heqim nga zjarri, hedhim kanellë të bluar. Me këtë masë mbushet barku dhe gusha e pulës, të cilat më pas qepen në mënyrë që masa e përgatitur të mos dalë.
Pula lyhet me gjalpë, kripë, piper dhe piqet në furrë.
Pas pjekjes, gatimi shërbehet në pjata, duke vënë thelën dhe pjesë nga mbushja si dhe spërkatet me lëngun e mbetur nga pjekja.