Opozita shqiptare ka nisur të detajojë planin për protestën e 26 majit. Pas daljes së përgjimeve për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, PD dhe LSI vendosën të ashpërsojnë dozën e reagimit dhe të protestojnë për largimin e zotit Xhafaj. Gazeta ka mësuar detaje nga ajo se çfarë realisht është duke ndodhur në kampin opozitar. Burime shumë të sigurta të gazetës thanë se PD dhe LSI ende nuk kanë qartësuar fiks se çfarë do të ndodhë më 26 maj, por janë duke shqyrtuar disa opsione.
Opsioni kryesor dhe më i mundshmi që pritet të ndodhë është që protesta të nisë fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe nëse ka shumë njerëz turma do i drejtohet Kryeministrisë. Sipas burimeve, PD ka aplikuar për leje në polici dhe mësohet se dhe aty nuk ka shënuar një zonë fikse, por ka marrë leje për të gjithë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mësohet se po synohet që të bllokohen të gjitha dyert e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që po ashtu nuk përjashtohet mundësia që të ketë sulme me vezë, domate apo sende të tjera ndaj godinës së ministrisë. Në takimet që Basha ka pasur me krerët e degëve të PD në Tiranë, është hedhur si mundësi që të tentohet dhe mësymja brenda ministrisë, por ky është një skenar disi më i vështirë, për faktin policia pritet ta blindojë godinën.
Por një burim i tha gazetës se protesta ka sjellë një përplasje mes Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. Basha mësohet të jetë shprehur se duhet të protestohet në mënyrë paqësore, por Berisha, Kryemadhi dhe klanet pranë tyre kërkojnë që të bëhet një protesta sa më agresive. Sinjalet u dhanë dje në komisionet parlamentare, ku Flamur Noka, paralajmëroi rrëzim të qeverisë më 26 maj. Një burim i tha gazetës se Berisha ka kërkuar që të ketë reagim sa më të ashpër, por Basha nuk ka gjetur mbështetjen e tij, duke këmbëngulur se duhet reagim s amë i qytetëruar.
Koordinimi me LSI
Përveç përplasjeve brenda PD sa i takon skenarëve të protestës, mësohet se dhe marrëdhëniet mes PD dhe LSI nuk janë fort të mira. Të dyja partitë janë duke punuar të ndara sa i takon asaj se çfarë do të ndodhë më 26 maj. Burime nga degat e PD Tiranë thanë se deri më tani nuk janë përgatitur për skenarë dhune, por nuk e përjashtojnë si mundësi që të jenë mbështetësit e LSI ata që mund të provokojnë përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë.
Basha mësohet se ka ngritur një grup pune që po merret me organizmin e protestës. Ky grup përveçse ka porositur degët që të mbledhin sa më shumë protestues dhe ka garantuar transportin, është duke menduar dhe mbi strategjitë që do të përdoren në tubim. Gjatë javës pritet që të ketë një mbledhje grupi të PD, ku do të detajohet dhe roli i deputetëve në protestë.
Protesta e PD
Partia Demokratike ka protestuar me dhjetëra herë kundër qeverisë dhe nuk kanë munguar sulmet ndaj institucioneve. Kur u ndërtua bunkeri paranë Ministrisë së Brendshme, atij ju vu zjarri, ndërsa ka pasur sulme me gurë dhe ndaj Kryeministrisë.
Duke qenë se Ministria e Brendshme është në një pozicion ku ka hapësirë nga të katërta anët dhe nuk ka asnjë mur apo kordon mbrojtës, policia i druhet faktit se ajo mund të sulmohet me objekte të forta. Burimet i thanë gazetë se forcat e rendit do të jenë në gatishmëri, që nga Forcat Renea, te Forcat Shqiponja dhe të gjithë efektivët e tjerë. Pritet që Ministria e Brendshme dhe Kryeministria të rrethohen nga efektivët./ SOT