Loading...

Prokuroria e Krimeve të Rënda pret fletë arrestet për Saimir Tahirin e Adriatik Llallën, në dyshim Besim Hajdarmataj. Pritet vendimi i gjykatës

Arrest shtëpie për  Saimir Tahiri, ish- ministër i Brendshëm për një periudhë katër vjeçare të qeverisjes socialiste. Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela ka prerë fletë arrestin për Tahirin dhe pritet dërgimi i menjëhershëm në gjykatë për ekzekutim. Akuza kryesore është trafik të lëndeve narkotike, në bashkëpunim dhe në formë të posaçme të grupit të strukturuar. Por dhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.

Ndërkohë që fletë arresti është prerë dhe për ish- kreun e Prokurorisë shqiptare Adriatik Llalla. Mësohet se ekzekutimi i fletëarresteve do të bëhet këtë të shtunë, ku pritet që gjykata të vendosë me procedurë të përshpejtuar masën e arrestit për të vënë në pranga ish- ministrin e Brendshëm të PS-së Tahiri dhe ish- kreun e prokurorisë së përgjithshme Adriatik Llalla.

Veprat penale që rëndojnë mbi ish- kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre.

Njëherësh pritet që bashkë me Tahirin dhe Llallën t’i pritet fletëarresti dhe ish- kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdamatajn me akuzën e favorizimit të trafikut të kokainës dhe mbylljes së dosjeve të trafikut për personat e akuzuar.

Ndërkohë që Tahiri pasi iu hoq imuniteti i deputetit, vetëm gjashtë muaj më vonë dha dorëheqjen nga mandati i deputetit për të qënë përballë drejtësisë një qytetar i thjeshtë. Ndërsa Llalla është liruar nga detyra dhe menjëherë është përballur me akuza të rënda të lëvizjes së parave cash përmes kufirit, por dhe për abuzim me detyrën.

Mësohet se Llalla ka qënë në Gjermani për kurim dhe mbetet ende mister nëse do të jetë në Shqipëri kur të pritet fletë arresti apo do të prangoset në Gjermani për t’u ekstraduar.

Nëse ndaj Tahirit ka pasur akuza të forta nga opozita ndërkohë që Rama dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë shprehur se drejtësia duhet të thotë fjalën e vet, ndaj Adriatik Llallës ka pasur akuza dhe nga DASH, që e ka shpallur familjarisht person të padëshiruar.

Gjithsesi Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë shprehur në mbështetje të organit të akuzës dhe gjykatave për të arrestuar “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri.

Akuzat e prokurorisë për ish- ministrin e Brendshëm

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dy akuza ndaj Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm; trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Për akuzën e parë, trafik droge, Kodi Penal parashikon nga 10 deri në 20 vite burgim. Për akuzën e korrupsionit nga 4 deri në 12 vite burg.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria arsyeton edhe për dyshimet e saj të ngritura ndaj Tahirit. Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.

Nisur edhe nga hetimet italiane, prokuroria dyshon se përfitime monetare kanë shkuar direkt tek ish-ministri i Brendshëm. Duke sqaruar dyshimet për akuzën e ngritur, Prokuroria ka futur në akuzë edhe përdorimin e automjetit Audi, që ish-ministri i Brendshëm ja kishte shitur Habilajve.

Sipas Prokurorisë, ky automjet i shitur në 2013-n është përdorur më pas edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Tahiri. Akuza e ngritur për veprën penale të korrupsionit, bazohet në dyshimin se Tahiri ka përfituar nga të arrestuarit në Itali.

Shitja e Audit dhe shpjegimi i ish ministrit

Saimir Tahiri: “Çështja e makinës sime, shkurt dhe pastër është kjo: makinën e kam shitur në 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. Ua kam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe, në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantët e drogës, nuk kanë qenë kurrë të proceduar, nën hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës edhe pse u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë.

Deri në miratimi e kredisë unë e shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim.

Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre.

Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time.

E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time?”

Bien “provat sekrete” të Prokurorisë, Saimiri i përgjimeve italiane është një shofer kamioni

Prokuroria ka dështuar në mënyrë të turpshme në argumentimin e provave që pretendon se ka kundër Saimir Tahirit. Në seancën me dyer të mbyllura në Këshillin e Kuvendit, si provë është paraqitur një përgjim për Saimir Tahirin, por që në fakt bëhet fjalë për një Saimir tjetër.

Në përgjime flitet për një Saimir që ishte shofer kamioni, dhe që me sa duket bënte transportin e drogës. Tahiri ka pyetur prokurorin me ironi, “di gjë të kemi kompani kamionësh. Apo të kem patent kamioni?” Prokurorët nuk kanë kthyer përgjigje. Si përfundim, ata nuk kanë argumentuar dot akuzat, duke dështuar kështu të argumentojnë kërkesën për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, pasi kanë shkuar të papërgatitur për të mbrojtur akuzat ndaj Tahirit.

Burime nga mbledhja e Këshillit të Mandateve asokohe thanë se prokurorët nuk kanë paraqitur asnjë provë shtesë para deputetëve për kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, në mbledhjen me dyer të mbyllura që kërkuan. Sipas burimeve, prokurorët kanë deklaruar se baza për kërkesën për arrestimin e Tahirit është dosja italiane e përgjimeve me 416 faqe.

Edhe në përfundim të mbledhjes me dyer të mbyllura, deputeti i PS, Çuçi deklaroi më pas në mbledhjen e hapur për publikun se prokurorët nuk paraqitën asgjë të re.

Pergjimi i plote ku permendet Saimir si shofer kamioni

Nezari: Mbrëmë i shkruajta Lolos (Florian Habilajt) … më tha “20 copë (nuk e mbaron fjalinë) … unë e Moisiu vumë 30 … e ti 20 … dhe pastaj 100 Agroni” dhe unë i thashë “po ku e çon” … “Saimirit” … dhe unë i thashë “jo vëlla … jo … unë nuk marr 150 euro për 20 euro … çfarë thua ti?” … vetëm për timin dhe tëndin … 50 copë i merr Saimiri” … tani shkoi të merrte një 50-she … i thashë “çfarë jam unë?” … unë nuk marr 150 mijë euro për 50 copë që kemi ne … jo … nuk jam çmendur” … i thashë … më tha “e mirë, le ta marrë Agroni vetë” … dhe unë i thashë “të bëjë ç’të dojë” …“dhe e gjithë kjo pasi kishte linjën … meqë kishte kamionin …”.

Saimir Tahiri, dorëzon mandatin e deputetit

Ish-ministri i Brendshëm, në përfundim të konferencës së tij, ka thënë se ai do të përballet me drejtësinë jo më me mandatin e deputetit.

“Unë nuk jam nga ata që fshihen pas mandatit dhe pas imunitetit dhe aq më pak të fshihem pas tyre. Kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por e para.

Unë nga sot nuk jam më deputet. Do të përballem me këdo, sepse besoj se e vërteta mjafton dhe është më e fortë se çdo tjetër. Unë do të përballem si qytetar i lirë më drejtësinë.

Unë sot iu them se unë nuk jam palaço si ata që kanë qeverisur për 25 vite dhe sot bëjnë moral.

Unë s’kam nevojë për imunitet për t’u përballur me drejtësinë. Unë nuk jam dorëzuar kurrë dhe as do ta bëj, në një betejë që tashmë nuk e kam timen”, ka thënë ai.

Ai ka folur para mediave atë që kishte përgatitur të fliste në Parlament, por që tha se nuk pati mundësinë. “Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje e pushka top tu bëhet unë këtu jam e do ua dal”, tha Tahiri në konferencën për mediat.

Nën tension të plotë dhe pas zërave të shumtë që kërkojnë arrestimin e tij, ish-ministri shpërtheu në kuptimin e plotë të fjalës ndaj Edi Ramës, ministrit të Brendshëm, Ilir Metës, Sali Berishës, Luzlim Bashës.

“Njëri vinte më sugjeronte thuaj ‘nuk isha unë, po Edi Rama koka e trafikut të dorgës’ e kështu shpëtoja nga të gjitha. Tjetri thoshte mos të flisja se nuk është punë pasioni e nerva po llogarish. Unë heshta e pazarxhinjtë dolën në treg, nuk më kanë njohur aq sa ta kuptonin se nuk ka qenë se nuk e dija po nuk doja që armiqtë, hajdutët e pazarxhinjtë t’i mbaja në krah.

Unë kam zgjedhur ti vë përballë e nuk ka pasur e as nuk ka asnjë lloj privilegji të më bëjë të ndryshojë mendje dhe sot. Akuzat për policinë pasardhësi im ia kaloj dhe Saliut dhe Lulit. Këta që më akuzojnë mua sot nga dolën kaq të dhimbusr për fushat që dolën me hashash”, tha Tahiri.

Akuzat për ambasadorët, Prokurorinë, SHISH, Ilir Metën, Xhafajn

“Unë as jam dorëzuar e as kam ndërmend ta bëjë. Unë do pres drejtësinë time ndaj pak durim duhet nga të gjithë. Unë nuk kam aq forcë sat ë gënjej, por kam fuqi për të vërtetën time.

Prokuroria e SHISH i bënin detyrat në zyrat e Saliut dhe të Ilirit.

Njëri sot është nën hetim, Visho Ajazi i Saliut sot është ambasador, për turpin më të madh. Dhe Ilir Meta si e do, njëherë mbi palët e njëherë me palët. Hashashin e kishin aty për 25 vite. Mbollën varfërinë e mijërave të rinjve.

Sot dalin e thonë se po pengoj unë integrimin. Ka dhe deputetë palaço si puna e Lulit edhe në BE, ata që marrin përsipër të bëjnë rolin e Prokurorit siç ka dhe ambasadorë, por kjo nuk është Evropa. Unë e di që këtu ka politikanë pa bythë që e kanë shitur këtë vend.

Këta anadollakë që qajnë sot Evropën. Vettingun e votuam si dele, me dy ambasadorë që na duartrokisnin mbi kokë.

Tani po bëjnë dhe vettingun e policisë, por ky nuk bëhet për një ditë. Pse nuk e filluan nga vetja vettingun. Ministri i Brendshëm del në tv e numëron bandat”, deklaroi Tahiri kur dha dorëheqjen mnga mandati i deputetit.

Katër akuza ndaj Adriatik Llallës, ish kryeprokurori kalon me shuma të mëdha parash në kufi

Ndonëse pak kohë më parë Llalla u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë, kërkesë të cilën e pranoi edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioni Posaçëm i Apelimit ka regjistruar ankimimin tek Komisioneri Publik për vendimin e KPK-së, që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të ish-kryeprokurorit.

Por pavarësisht fakti që ish-kryeprokurori me shuma gjasa nuk do t’i shpëtojë “rrjetës” së vetingut, Adriatik Llalla po hetohet për katër akuza nga Prokuroria e Durrësit. Madje, mësohet se organi i akuzës në qytetin bregdetar, ka nisur procedimin penal ndaj Llallës qysh në datën 15 mars 2018. Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre.

Mirëpo, ndër katër akuzat bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë sesa e lejon ligji. Sipas ligjit çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq, ku dyshohet se ka kaluar kufirin me shuma të mëdha parash.

Megjithatë, nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë konkretisht. Nga ana tjetër, bëjmë me dije se Kryeprokurori Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre: një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave. Adriatik Llallës i mbaroi mandati në 12 dhjetor 2017.

Në fillim të këtij viti ai paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, vendim që u pasua me ndërprerjen e vetingut. Por duket se çështja e vetingut për Llallën është ende e hapur pasi është ankoruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është i vetmi zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, i cili është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com