Prokuroria e Krimeve të Rënda po bëhet gati për prangosjen e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Ky i fundit, fill pasi u njoh me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit ku i ndalohej përjetësisht hyrja në SHBA, u zhvendos bashkë me familjen e tij në Gjermani duke kërkuar strehim në këtë shtet.
Aktualisht që Prokuroria ka nisur zyrtarisht hetimet mësohet se Llalla po vijon “arratinë” në këtë shtet, raporton CNA.
DASH mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.
Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia.
Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqe të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë.