Politikanët hajdutë heshtin nga vilat luksoze, nafta dhe benzina u rritën me nga 5 lekë/litri, kompanitë po “nxjerrin” nga shqiptarët, miliardat që u vodhi “GULF” me pazaret e pista
Shkruan: Memo Aliaj
Ndërkohë që skandali financiar i firmës piramidale “GULF”, po kalohet në heshtje me gjoja ca lajme për nisje hetimesh, shqiptarëve u kanë mbetur në xhep tollonat e blera tek kjo firmë me çmim 30% më të ulët e tregu faktik, ndërsa kompanive shqiptare të karburanteve ku furnizohej “GULF” me shumicë, u kanë mbetur në sirtar letrat e kontratave, duke humbur miliarda lekë.
Mirëpo, ndërsa shqiptarët nuk kanë asnjë mënyrë e mundësi, se si t’i marrin lekët e humbura në këtë firmë piramidale, kompanitë e karburanteve e kanë gjetur “rrugën”, për të kompensuar humbjet, pa pritur gjyqet dhe sekuestrot ndaj firmës “GULF”. Zgjidhja që kanë “shpikur” dhe kanë nisur të zbatojnë këto kompani, rezulton se është loja me rritjen e çmimit të shitjes me pakicë, që rëndon vetëm financat e konsumatorëve.
Ata që përdorin automjete, qysh nga dje po përballen me tabelën njoftuese të rritjes së çmimit të naftës, të ngjitur në çdo pikë tregtimi! Kompanitë e kraburanteve, prej 24 orësh kanë rritur çmimin e naftës dhe benzinës me nga 5 lekë lekë/litri. Këtë rritje e kanë bërë në mënyrë uniforme, aq sa të krijohet përshtypja, se tregu i karburanteve në Shqipëri është monopol vetëm në “një dorë”, paçka se për të krijuar përshtypjen e ekzistencës së konkurrencs në treg, ato janë copëzuar në shumë firma me emra, logo e ngjyra të ndryshme, siç rezultoi të ishte edhe “GULF”!
Kjo rritje çmimi, nuk ka lidhje me rritjen e çmimit në tregun vendit prodhues, të rritjes së çmimeve në bursë, apo të rritjes së çmimeve të tranzitit të hidrokarbureve. Nuk ka lidhje, as me rritjen e çmimeve në transportin detar e tokësor ndërkombëtar, as me taksat në doganat e tatimet shqiptare, por ka lidhje vetëm me skandalin e “GULF”, ku u molepsën si pjesë e lojës edhe vetë kompanitë shqiptare, mbasi firma “GULF” furnizohej me kraburante prej kompanive importuese shqiptare dhe prej “ARMO”.
Këtyre furnitorëve dhe blerësve shqiptarë, piramida “GULF” u zhvati 5.6 milionë euro dhe mbylli “rubinetat” prej falimentit nga vjedhja që organizoi me kontrata dhe tollona false! Humbjen e tyre, tregtarët e karburanteve kanë vendosur ta kompensojnë, duke zhvatur shqiptarët me rritje të çmimit të naftës e benzinës edhe me nga 5 lekë/litri.
Me këtë rritje, shqiptarët po zhvaten dy herë: Një herë nga “GULF” me tollona false dhe tani nga tregtarët e karburanteve, me rritjen e çmimit të naftës nga kompanitë tregtare, që ata të nxjerrin miliardat e tyre, të humbura tek “GULF”. Përballë kësaj hajdutërie të rradhës nëpërmjet rritjes së çmimit të naftës dhe benzinës, politikanët po heshtin, duke bërë sehir nga fandjava që po kalojnë në vilat luksoze brenda e jashtë Shqipërisë.
Kjo heshtje e tyre, ka lidhje me faktin se të gjithë politikanët shqiptar, janë të “spërkatur” nga monopolistët e naftës, ndryshe nuk do të ngrinin dolli “sigurie e cilësie” edhe në ceremoninë e inaugurimit të “GULF”!/Pamfleti/