Në një konferencë shtypi të policisë së shtetit drejtori i Departamentit për sigurinë publike, Gjovalin Loka tha se janë ushtruar kontrolle intensive nga toka dhe ajri dhe nga janari deri më tani janë konstatuar 23 parcela. Janë arrestuar 13 autorë dhe janë proceduar disa persona.
Deklarata:
Policia e Shtetit, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018, po zbaton me përgjegjshmëri të gjitha masat organizuese dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët e huaj.
Në zbatim të këtyre masave në të gjithë vendin, që prej muajit Janar deri në fund të Majit, janë ushtruar kontrolle intensive për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për të çuar para drejtësisë autorët e kësaj veprimtarie antiligjore.
Që në krye të herës dua të theksoj, se rastet e konstatuara të kultivimit në këto 5 muaj të vitit 2018, janë 23 parcela me 2,579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë.
Dhe për krahasim me vitin 2017, kur Shqipëria doli përfundimisht nga harta e vendeve problematike që kultivonin kanabis, janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara.
Që nga ditët e para të vitit, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura.
Të gjitha grupet e kontrollit janë monitoruar nga drejtues të lartë policorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Këtë vit, për një kontroll më të plotë të territorit kanë nisur më herët në kohë monitorimet ajrore nga Guarda di Finanza. Nga fillimi i Prillit deri sot janë kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar.
Këto monitorime ajrore do të vijojnë deri në vjeshtë, duke zgjatur periudhën kohore të kontrollit të territorit.
Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3,590 kontrolle.
Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike.
Në Përmet është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar Sofokli Naqellari, 59 vjeç, banues në Frashër. Që nga fillimi i vitit, janë arrestuar 13 autorë të dyshuar për kultivim, 6 shtetas janë në kërkim dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë.
Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht 4 persona, administratorë të Njësive Administrative dhe inspektorë të shërbimit pyjor, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Në 15 raste, Policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 21 mijë fara kanabis duke vënë para ligjit personat përgjegjës.
Policia e Shtetit, në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis ka bashkëpunim konstant me agjencitë e zbatimit të ligjit në vend si dhe vijon shkëmbimin e informacionit me partnerët, për goditjen e tentativave të implikimit të grupeve kriminale që operojnë jashtë Shqipërisë në këtë aktivitet kriminal.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është funksional sistemi dixhital GIS-Narkotik, për monitorimin e territorit.
Duke përfituar nga kjo dalje publike, dua të shpreh një vlerësim për punën e gjithë grave dhe burrave të Policisë së Shtetit që janë angazhuar në këtë luftë kundër kultivimit të narkotikëve megjithë vështirësitë dhe lodhjen. Një vlerësim edhe për punën në tërësi të pushtetit vendor dhe strukturave të tjera shtetërore, bashkëpunuese në këtë luftë.
Kontributi i partnerëve tanë është i çmuar, e këtu veçoj misionin e Guardia di Finanzas.
Gjithashtu vlerësojmë mbështetjen e opinionit të gjerë publik ndaj punës së Policisë së Shtetit për goditjen e këtij fenomeni. Këtë betejë do ta fitojmë të gjithë bashkë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe Shqipëri më të sigurt.
Faleminderit!