Loading...

Pesëshja famkeqe/ Pakti mafioz Rama-Berisha-Basha-Meta-Mona për të mos hapur dosjen e videos së korrupsionit Meta-Prifti

Kokat e krimit dhe korrupsionit të politikës pakt kundër shqiptarëve për të mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia, zhurma për nenin e ekstradimit bëhet për të mbuluar marrëveshjen për shpëtimin e babait të korrupsionit në Ballkan Ilir Metën, por shkatërrimi i pesëshes famëkeqe dhe anti-kombëtare është i pashmangshëm

Nuk ka asnjë fije dyshimi se Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë bashkë për të mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia, për të mbrojtur pasuritë e vjedhura, për t’u alternuar në pushtet, për të vijuar sundimin e shqiptarëve dhe plaçkitjen e Shqipërisë.

Pavarësisht teatrit të përditshëm politik për çoroditjen e shqiptarëve, kjo pesëshe korruptive dhe keqbërëse ka qenë një, është një dhe do të jetë një, deri ditën kur shqiptarët dhe Perëndimi t’i japë goditjen përfundimtare, duke e nxjerrë nga skena politike si një e keqe historike.

Mjafton të shikojmë se si këta alternohen në pushtet dhe pasurohen prej 28 vitesh për të kuptuar aleancën e tyre anti-kombëtare.

Babai i korrupsionit në Shqipëri dhe Ballkan, Ilir Meta, në vend që mbyllet në një qeli, bëhet president. Më parë ka qenë kryeministër, Kryetar Kuvendi, zëvendëskryeministër, disa herë ministër etj.

Sali Berisha, protagonisti i krimeve më të mëdha njerëzore dhe ekonomike gjatë 28 viteve të pluralizmit, sot jo vetëm është i lirë, por sot ka marrë flamurin e luftës kundër drogës dhe korrupsionit.

Edi Rama, 12 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, prej pesë vitesh kryeministër. Edi Rama i ka sjellë dëme të paimagjinueshme Shqipërisë, fillimisht me lejet e ndërtimit dhe tani me koncesionet korruptive, kanabizimin e vendit, inkriminimin e Parlamentit dhe administratës.

Lulzim Basha bredh prej 13 vitesh në krye të skenës politike, tashmë si kryetar në letra i opozitës, më parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ministër i Jashtëm, i Brendshëm dhe i Transporteve. Emri i tij lidhet me tre skandalet më të mëdha të pluralizmit, vjedhjen e 230 milionë eurove për rrugën Durrës-Kukës, shitjen e detit Greqisë dhe vrasjet e 21 Janarit. Basha jo vetëm nuk është mbyllur në burg, por pret të bëhet kryeministër.

Monika Kryemadhi është lavatriçja e parave të krimit dhe korrupsionit të Ilir Metës. Në vend që të bëhet subjekt i ligjit anti-mafia, t’i sekuestrohen pasuritë e korrupsionit dhe të kalojë pjesën tjetër të jetës në qeli, Monika pret të ngjitet në pushtet bashkë me Lulzim Bashën.

Këto ditë ka një zhurmë të madhe për pikën ‘f’ të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, pikë e cila sipas Partisë Demokratike është hartuar dhe miratuar qëllimisht, për të mos lejuar ekstradimin e vëllait të Fatmir Xhafajt në Itali, i dënuar për trafik droge. Zhurma rreth kësaj pike bëhet me qëllim për të fshehur një pakt mafioz dhe antishqiptar mes Ramës, Metës, Monikës, Berishës dhe Bashës, për të mbyllur një dosje të Ilir Metës.

Pakti konsiston në ndalimin e drejtësisë së re për të hapur dosjen e videos së korrupsionit Meta-Prifti. Në mënyrë të koordinuar dhe të fshehtë pesëshja mafioze, me anë të veglave të tyre, kanë futur një pikë në Kodin e Procedurës Penale për të mos lejuar Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme për të hapur një prej dosjeve të babait të korrupsionit në Shqipëri dhe Ballkan, Ilir Metës, të cilin Edi Rama e ka bërë President të Shqipërisë.

Kjo është arsyeja që kokat e korrupsionit të politikës mbrojnë njëri-tjetrin. Ata kanë ndryshuar pikën 2 të neni 449 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilës nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Pra, kjo pikë nuk lejon drejtësinë e re që të rishikojë vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila shpalli të pafajshëm Ilir Metën, edhe pse u kap me bllokun e korrupsionit në dorë, me zë dhe figurë.

Ekspertët e FBI e konfirmuan videon si autentike. Ky konkluzion e çonte Metën drejt burgut. Por meqenëse Gjykata e Lartë ishte një vegël qorre në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës, u rrëzua ekspertiza e FBI. Për ekspertizën e re u caktuar një farë Ermal Beqiri, i cili na doli më ‘profesional’ se ekspertët më në zë FBI dhe BE. Kështu, Beqiri doli në konkluzionin se videoja ishte montazh dhe Meta i shpëtoi burgut. Më vonë ‘ekspertin’ Beqiri e bënë drejtor informatik i zyrës së Hipotekës, ku filloj të marrë tendera nga ministritë që Edi Rama i kishte dhënë Metës në kuadër të ndarjes së pushtetit pas zgjedhjeve të 2013.

Duke e ditur se ekspertiza e Beqirit që shpëtoi Metën është një mashtrim, pesëshja e politikës menduan që të shkruaj në ligj se nuk lejohet më rihapja e dosjes së videos së korrupsionit Meta-Prifti. Këtë ndryshim palët e kanë shitur si gjoja standard evropian. Po me çfarë standardi evropian kanë lidhje vendimet e gjykatave shqiptare, të cilat përdoren si tualet nga politikanët? Ndryshimi nuk ka lidhje me asnjë standard, por ka për qëllim për t’i vënë kapakun një prej aferave të Ilir Metës, me bllokun e pazarit në dorë.

Megjithatë, kokat e korrupsionit dhe krimit të politikës shqiptare nuk kanë shpëtim. Ky ndryshim bën të mundur vetëm mbylljen e dosjeve të gjykuara. Fatmirësisht, gjykatat shqiptare, duke qenë në duart e politikës, kanë dhënë shumë pak vendime pafajësie për politikën, pasi dosjet janë mbyllur që në prokurori. Kështu që, të gjitha dosjet e tjera që nuk janë gjykuar, por që janë mbyllur nga prokurorët e komanduar nga politika, mund të hapen dhe rigjykohen nga drejtësia e re./Pamfleti.com

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com