Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) festoi 60 – vjetorin e krijimit të saj. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e pranishme në këtë aktivitet, shpjegoi se misioni i kësaj akademie do të vijojë të mbetet përgatitja, arsimimi e kualifikimi i specialistëve të lartë të personelit ushtarak e civil.
“Në kushtet e zhvillimeve të reja të mjedisit të sigurisë në rajon e më gjerë, Akademia e Forcave të Armatosura do të vazhdojë të ketë për mision përgatitjen, arsimimin e kualifikimin e specialistëve të lartë e të aftë të personelit ushtarak e civil, për të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura për fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Vëmendja duhet të përqendrohet tek përgatitja e oficerëve të rinj, duke filluar nga modeli që do të zgjedhim, model, i cili të jetë i integruar me arsimin e lartë kombëtar, por edhe me ato të vendeve të NATO”, – tha Xhaçka
Ministrja e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj theksoi se, në kuadër të detyrave të reja që qeveria shqiptare i ka ngarkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, duhet të përshtatë edhe ndryshimet në kurrikula për të qenë sa më efiçent.
“Në kushtet kur qeveria shqiptare i ka ngarkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura menaxhimin e emergjencave civile edhe të iniciativës së kryeministrit, për të promovuar në detyrat e prefektëve si edhe në institucionet e tjera të sigurisë në vend, oficerët në rezervë, detyra e akademisë është të përgjigjet edhe me ndryshimet përkatëse në kurrikulat e saj me qëllim të arsimojë e kualifikojë në fushën e Sigurisë specialistë të lartë të personelit të institucioneve të tjera të sigurisë në vend.
Për të gjitha këto prioritete, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Akademia e Forcave të Armatosura do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes, timen personalisht si dhe Shtabit të Përgjithshëm në përpunimin e një vizioni të ri të zhvillimit të institucionit në përputhje me zhvillimet në të ardhmen të Forcave të Armatosura dhe të shoqërisë, në ndryshimet e nevojshme strukturore e programore si dhe në promovimin e një stafi akademik të aftë për të përballuar këto ndryshime.”, – përfundoi fjalën e saj ministrja Xhaçka.
Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson nivelin më të lartë të arsimimit dhe kualifikimit në Forcat e Armatosura. Këtu zhvillohen kurset institucionale si Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë i Oficerit, si dhe Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
Akademia e Forcave të Armatosura u krijua më 10 maj 1958, në Tiranë, në rajonin e Rrapit të Treshit, fillimisht me emërtimin Shkolla e Lartë Ushtarake. Gjatë historisë së saj 60 – vjeçare, ajo ka ndryshuar disa herë emërtimin, por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj në funksion të edukimit të brezave të tërë ushtarakësh për t’i shërbyer në çdo kohë dhe në çdo situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që shtron koha.