Është e njëjta histori që Sali Berisha po bën dhe me Izet Haxhiaj, ish- bodigardin e tij. E dëgjova dje kur ulëriste si i dalë nga shinat, se Ministria e Drejtësisë e Edi Ramës ka kërkuar ekstradimin e tij, dhe pastaj një laro i tij, që kujton precedentin Rusmali për dorëheqje nga ministër Drejtësie më 2007, për një përfolje të të vëllait.
Shkruan Mero Baze
Vendimi për të mbrojtur politikisht një prokuror si Besim Hajdarmataj në këto momente, është skaneri më i mirë që mund t’i bëhet Prokurorisë së Adriatik Llallës dhe arsyeve përse opozita u bë barrikadë kundër reformës në drejtësi.
Vendimi i shkarkimit e thotë qartë arsyen. Besim Hajdarmataj është prokurori garant i trafikut të drogës nga Kolumbia, i kompanisë “Alb Garden”, pasi dy vjet më parë, në një situatë të ngjashme si kjo e para dy muajve, ai ka pushuar çështjen ndaj këtij biznesmeni, në kontenierin e të cilit u gjend kokainë e ardhur nga Kolumbia. Skema e garancisë së Prokurorisë së Adriatik Llallës, përmes Hajdarmataj, për atë linjë trafiku, është bazuar tek skema e thjeshtë e transportit të kokainës, përmes një kompanie e cila formalisht nuk mban përgjegjësi për “mallrat” e tjera, përveç bananeve që vijnë në Portin e Durrësit, nëse Prokuroria nuk bën hetime shtesë.
Kështu, sipas këtij parimi, kjo kompani ka sjellë kokainë në Portin e Durrësit dhe kur është kapur në kohën e Adriatik Llallës, çështja është pushuar. Prej atëhere, pronari i “Alb Garden” nuk është vendosur nën përgjim, nuk është bërë asnjë përpjekje për hetime të thelluara, dhe me të janë sjellë sikur ai të ishte viktimë e trafikut të kokainës, dhe jo autor i saj.
Për herë të parë Prokuroria jonë, e drejtuar nga Arta Marku, në kapjen e radhës së kësaj ngarkese, jo vetëm nuk e ka pushuar çështjen, por ka thelluar hetimet dhe sot ka të arrestuar pronarin e kompanisë.
Nëse Prokuroria e sotme do të respektonte “traditën Llalla”, Besim Hajdarmataj duhet ta linte përsëri të lirë Arbër Çekajn, meqë formalisht ai nuk ka faj, se i kanë futur 613 kg kokainë në kontenierin e tij.
Skenari i përngjan serialeve të Narcos tek “Netfliks’, ku Prokuroria shqiptare ka shërbyer si garante ligjore e mos pasjes së asnjë pasoje në rast kapje, dhe e suksesit të heshtur në rastet kur droga nuk kapej. Kaq e thjeshtë është përgjegjësia ligjore e Besim Hajdarmataj. Një opozitë që bëhet garante e këtij lloj prokurori, është garantja më e mirë dhe publike e trafikut të drogës në Shqipëri, pasi bëhet mburojë pikërisht e atyre strukturave të drejtësisë që janë garante të trafikut të drogës.
Deri para pak ditësh, Sali Berisha ka hedhur në treg lloj- lloj hipotezash për autorësinë e drogës së kapur në Durrës, por tani që hetimet janë thelluar dhe autorët janë në burg, tani që prokurori garant i këtij trafiku është shkarkuar, çuditërisht ata duket sikur janë shqetësuar pikërisht për drogën që vetëm një ose dy javë më pare, thoshin është e Olsi Ramës dhe Edi Ramës. Dhe kjo është një finale e turpshme e një politike, e cila i del zot më shumë se vet trafikantët, një linje trafiku që zhvillohej nën garancitë e Prokurorisë së Adriatik Llallës.
Diplomatët kryesorë të perëndimit në Shqipëri dhe veçanërisht ambasadori amerikan, e konsideruan qysh në fillim kapjen e kokainës në Durrës, si “peshkun e madh” jo thjeshtë se ai quhej Arbër Çekaj, por se në dosjen e tyre, ishte e qartë se garanti i asaj linje trafiku, ishte Prokuroria e Shqipërisë. Sot e vërteta është në dritë të diellit.
Për të arsyetuar më tej me rastin e Saimir Tahirit, të gjithë jemi koshientë dhe është gjë e mire, që për Saimir Tahirin po hetohet më shumë se për çdo politikan shqiptar në këto vite, biles po hetohet me sforco dhe me një lloj revanshi për të vlerësuar dhe thashethemet rreth tij, ndërkohë që për Adriatik Llallën janë injoruar dhe faktet. Ky prokuror e ka pas detyrë pas skandaleve që u bënë publike, jo vetëm të thellonte hetimet, por ta plotësonte dosjen me faktet që para tij i gjeti shtypi. Ky prokuror thjesht ka soditur lëvizjet e qarta për pastrim parash të eprorit të tij, dhe kthimin e tij në një agjent pasurish të paluajtshme, duke bërë biznes me prona të njerëzve që i kishte nën hetim.
Në këto kushte ai do t’ia vlente të shkarkohej dhe për mos veprim në rastin e Adriatik Llallës. Ajo që është e prekshme në historinë e tij si prokuror dhe që i është shkruar qartë në motivin e shkarkimit, është fakti se ky ka pushuar një çështje që është haptazi mbrojtje e një linje te trafikut të drogës nga Kolumbia, një linjë që falë këtyre garancive, vazhdoi me qetësi punën e saj, deri sa u kap dy muaj më parë nga policia dhe po hetohet me seriozitet nga Prokuroria e re e Arta Makut.
E gjithë kjo e ka bërë opozitën qesharake, pasi po e detyron atë për të ndryshuar pistën e arsyeve të shkarkimit, dhe po e vendos opozitën shqiptare në pozitën më të keqe të mundshme, si avokate e trafikut të kokainës në Shqipëri, ku si autori, dhe prokurori që u është bërë garant, janë lidhje jo vetëm krahinore, por dhe miqësore, të rrethit të afërt të Sali Berishës.
Është e njëjta histori që Sali Berisha po bën dhe me Izet Haxhiaj, ish- bodigardin e tij. E dëgjova dje kur ulëriste si i dalë nga shinat, se Ministria e Drejtësisë e Edi Ramës ka kërkuar ekstradimin e tij, dhe pastaj një laro i tij, që kujton precedentin Rusmali për dorëheqje nga ministër Drejtësie më 2007, për një përfolje të të vëllait.
Kjo është një gënjeshtër edhe më e madhe. Për të gjithë ata që nuk e dinë, por mund ta verifikojnë, Ministria e Drejtësisë që ka kërkuar ekstradimin e Izet Haxhisë, është ajo që dejtohej nga Ilir Rusmali në vitin 2007. Për të garantuar autoritetet turke, se ai do kishte një gjykim të drejtë, ministri Rusmali në atë kohë, ka garantuar autoritetet turke, duke cituar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, se atij do t’i sigurohej një gjykim i drejtë, duke rihapur gjykimin e dosjes Hajdari.
Ishte kjo arsyeja që e çmendi në atë kohë Sali Berishën dhe pastaj fabrikoi atë skenarin e turpshëm më regjistrime të disa ushtarëve të tij, për ta kompromentuar atë me një kërkesë banale të vëllait të vet, për një tender që nuk u bë kurrë.
Ilir Rusmali dha dorëheqje duke vendosur një standart aq të lartë moral dhe politik, sa Sali Berisha disa muaj më vonë e shkelmoi pa pikë mëshire, kur djali i tij doli i lidhur me biznesin vdekjeprurës në Gërdec, ku Saliu jo vetëm nuk dha dorëheqje, por i shpalli luftë gjithë shtetit për të shpëtuar të birin. Biles dhe “Neë York Times” e quajti letër higjenike.
Për fatin e tij të keq, Sali Berisha ka qenë gjithmonë në anën e së keqes në raport me drejtësinë në Shqipëri, si në rastin Rusmali, ku tërbimi i erdhi nga fakti se ai duke vepruar si shtetar serioz, kërkoi ekstradimin e Haxhiaj, duke garantuar hapjen e dosjes Hajdari, ashtu dhe në rastin e trafikut të kokainës nga Kolumbia, ku prokurorët ushtarë të tij dhe tropojanët e tij të përfshirë në këtë trafik, janë ortakë të qartë të një linje trafiku ndërkombëtar, tashmë të kapur dhe asgjesuar.
Tërbimi në të dy rastet është i ligjshëm, pasi i janë prerë rrënjët një historie kriminale. Por janë të ligjshëm si kriminelë të mërzitur për shokët e tyre, jo si opozitarë të mërzitur për drejtësinë.