Rriten dyshimet sa i takon audio-përgjimit të publikuar nga PD për vëllanë e ministrit Fatmir Xhafaj. Dy ditë më parë oficerët e policisë gjyqësore edhe përfaqësues të tjerë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbarkuan në Vlorë për të vërtetuar pretendimet e Albert Veliut. Nga verifikimet e deritanishme, hetuesit e Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të gjejnë pamje filmike të takimit të pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm në një lokal në Vlorë.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se nga verifikimi paraprak ka rezultuar se nuk ka pamje të ditës kur pretendohet të jetë realizuar përgjimi i bisedës mes “Babales” dhe Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm. Ndërkohë prej pasdites të së martës, Prokuroria për Krimet e Rënda zotëron materialin origjinal të përgjimit, si edhe mjetin me të cilin është realizuar përgjimi. Ato u dorëzuan në prokurori nga ana e gazetarit, Jetmir Olldashi, autori i investigimit gjatë të cilit u realizua përgjimi.
Burimet jozyrtare konfirmuan se ekspertimi i audiopërgjimit për të identifikuar nëse zëri në të i përket Agron Xhafajt do të realizohet në një laborator jashtë vendit, pa dhënë detaje për emrin. Prokuroria do të vendosë në dispozicion të laboratorin që do të kryejë akt-ekspertimin edhe regjistrimet audio të zërit që i janë bërë për llogari të hetimit Albert Veliut dhe Agron Xhafajt.
Dy ditë më parë, gazetari Jetmir Olldashi, i ftuar dje në një studio televizive, ka dhënë të tjera detaje në lidhje me audio-përgjimin Xhafaj-Veliu. Olldashi ka thënë se intervista e Albert Veliut ka pasur edhe ironi. Këtu hyjnë deklaratat e Veliut për varfërinë e tij. “Unë e kam thënë dhe herë tjetër, mua më është dukur ironi vlonjate intervista e Veliut. Sepse po ta shikosh, ai tregon dhe motivet, por ai ka bërë ironi. “Jam hallexhi etj”, janë mesazhe të koduara të botës së nëndheshme.
Nuk e kam verifikuar dot prezencën e Agron Xhafajt, se nuk isha prezent”, tha Olldashi. Më tej, Olldashi ka folur edhe për arsyet që e kanë shtyrë ta çonte investigimin e tij tek PD. “Misioni ynë si gazetar përfshin investigimin dhe mbi prokurorinë dhe policinë, si mund t’i drejtohesha policisë. Misioni ynë nuk është zbatimi i ligjit por dalja e të vërtetës. Nuk e di nëse PD i ka bërë verifikimet. Unë jam përpjekur të distancohem pasi kam dorëzuar materialet. Më kishin ngelur në dorë dhe s’kisha ç’t’i bëja dhe mendova se PD-ja mund t’i përdorte më mirë”, ka thënë Olldashi./SOT